Petritsch: Propozimi i Stubb për emisarin e BE për Ukrainë, interesant

Propozimi i presidentit finlandez Alexander Stubb se Evropa duhet të ketë një të dërguar special për krizën ukrainase, siç ishte Martti Ahtisaari për Kosovën, është interesant, thotë ish i dërguari special i BE-së për Kosovën Wolfgang Petritsch, i cili pajtohet se do të ishte një rrugë e mirë.

“Ky është një propozim interesant. Me Ahtisaarin, edhe pse Beogradi nuk pranoi gjithçka që në fillim, u përpoq për të gjetur një kompromis të drejtë. Askush nuk është kurrë i kënaqur me gjithçka. Unë mendoj se kjo do të ishte një mënyrë e mirë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kam thënë se BE-ja duhet të emërojë një figurë të fortë politike që do të merret me vendosjen e paqes, me trajtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Ukrainë”, ka deklaruar Petritsch.

Ai ka thënë se duhet të tentohen të flitet me Moskën, sepse detyra e diplomacisë është të bisedohet me të gjithë ata që e shkaktuan problemin, përfshirë Rusinë dhe Vladimir Putinin.

“BE nuk veproi mirë atje. Ndoshta Stubb do të jetë në gjendje të imponohet dhe ndoshta dikush do të emërohet për t’iu përkushtuar kësaj detyre”, ka thënë Petritsch.

Ai beson se nuk do të ishte mirë të kërkohet një zgjidhje për Ukrainën pa ukrainas.

Petritsch së fundi organizoi një konferencë për Afganistanin në Vjenë, dhe për shembull, theksoi se në rastin e këtij vendi, problemi ekziston për shkak të një marrëveshjeje të dobët paqeje, e cila u arrit në mënyrë të njëanshme vetëm me talebanët.

“Kjo është sikur negociatat në Kosovë të ishin vetëm me UÇK-në. Kjo nuk është e mundur. Duhet të përfshihen të gjithë përfaqësuesit legjitimë politikë. Nuk do të jetë e mundur ndryshe as në Ukrainë. Kiev duhet të përfshihet, sepse ka të bëjë me Ukrainën”, ka thënë Petritsch.