Petrit Kryeziu, ish-gazetari që si kryeprokuror po lufton krimin

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka marrë vëmendjen në muajt e fundit me vendimet për nisje të aksioneve kundër aferave korruptive, keqpërdorime të detyrës e së fundmi edhe për manipulimin e votave në Prizren.

Kryeziu i priu aksionit të Prokurorisë për aferën e keqpërdorimeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve kur u arrestuan 39 persona, në mesin e tyre edhe ish-drejtori Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave, Valon Berisha.

Gjatë kësaj jave, me urdhrin e kryeprokurorit Kryeziu, u arrestuan 109 persona të dyshuar për manipulimin e votave në Prizren për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Ai është djali i dëshmorit Alush Kryeziu. Kryeziu është jurist dhe ka përfunduar studimet master në shkencat penale.

Nga viti 2009, Petrit Kryeziu ka punuar në BIRN, ku ka qenë i angazhuar në hulumtime për emisionin “Drejtësia në Kosovë”. Kryeziu ka autorësinë e shkrimeve deri në vitin 2017.

Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar përvojë të gjatë në hulumtimin dhe analizimin e rasteve të drejtësisë, duke realizuar intervista me zyrtarë të lartë publikë, persona të dyshuar për vepra penale, si dhe persona të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Interpoli.

Në fund të dhjetorit 2024, Kryeziu ishte votuar kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren me mandat katërvjeçar, me mundësi kandidimi edhe për një mandat tjetër. Votimi i tij është bërë në mbledhjen e 260-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Të premten, Kryeziu e ka bërë të qartë se kandidatët për deputet të përfshirë në manipulimin e votave në Prizren do të ftohen për intervistim në Prokurori.

Kryeziu deklaroi se fillimisht janë duke punuar me komisionerët dhe vëzhguesit, të cilët sipas tij kanë keqpërdorur drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve, mirëpo ai bërë të ditur se për intervistim do të ftohen edhe kandidatët për deputet.

“Prokuroria udhëhiqet me prova, deri në këtë fazë jemi duke vepruar ndaj atyre që drejtpërdrejt kanë keqpërdorur votën, kanë keqpërdorur rezultatet, ata kanë vendosur firmat e tyre dhe është e tyre që të bashkëpunojnë me ne, deri në këtë fazë nuk kemi ndonjë informacion që involvon ndonjë kandidat drejtpërdrejt në ndëryhrje, mirëpo unë besoj që kandidatët do të dëgjohen edhe në prokurori. Në rast se nuk do të arrijmë të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve”, ka thënë ai.

“Ne kemi dëgjuar deklarata e tyre mediale, shumë prej tyre pa përjashtim kanë deklaruar që ndihen të dëmtuar për shkak të imazhit, kështu që prokuroria do t’ia ofrojë mundësinë që t’i marrim në cilësinë e të dëmtuarve, t’ua japim mundësinë t’i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe t’ua thonë në sy atyre që janë të dëmtuar, kjo do të jetë e fundit, përndryshe ne do të bëjmë të pamundur që të sigurojmë prova dhe do të jemi të pakompromis ndaj të gjithëve pa dallim”, tha Kryeziu në konferencë për media.

Kryeziu në konferencën për media ka bërë të ditur se ka pasur përpjekje të drejtpërdrejtë për ta përmbytur rezultatin e zgjedhjeve me manipulimin e madh të votave në Prizren.

Ai ka thënë se janë manipuluar 68 mijë e 17 vota dhe ka treguar edhe mënyrën.

“Vetëm një klasë ka dalë e pakeqpërdorur. Për ta pasur më të qartë, po flasim për Prizren, janë shtuar 40 mijë e 497 vota dhe janë hequr 27 mijë e 520 vota. Pra diferenca totale është 68 mijë e 17 vota. Po flasim për organizim, po flasim për dashje direkte për ta përmbytur rezultatin dhe vullnetin e qytetarëve”, ka thënë kryeprokurori Kryeziu.

Ai ka thënë se kishte koordinim mes komisionerëve të partive për këtë manipulim të votave.

“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin gjithë këto vota po të mos kishte kompromis mes komisionerëve, sepse sistemi është i tillë që komisionarët janë mekanizëm kontrollues dhe procesverbalin e nënshkruajnë të gjithë për ta legjitimuar”, ka thënë Kryeziu.