Petrit Hajdari, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Ai ka bërë publike vendimin përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve dhe strukturave të PDK-së, duke shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e marrë ndër vite, përfshirë edhe rreth 17 mijë votat në zgjedhjet e fundit parlamentare. Hajdari ka falënderuar gjithashtu ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e dhënë.
“Me krejt forcën time do të jem në mbështetje të PDK-së, siç kam qenë gjithmonë”, ka shkruar ai, duke theksuar se për dallim nga të tjerët, ai i respekton vendimet e partisë edhe kur nuk është dakord me to.
Hajdari tha se nuk dëshiron të bëhet pengesë e bashkimit të synuar nga partia, megjithëse beson se ky vendim nuk është në të mirën e PDK-së. Ai shtoi se nuk mund të tradhtojë përkrahjen e qytetarëve që e kanë mbështetur në secilën garë zgjedhore.
“Përkundër kërkesës së kryetarit dhe kryesisë, kam vendosur të mos jem kandidat, por do të jem krah për PDK-në, kandidatët tanë dhe Bedri Hamzën për kryeministër”, shkroi ai në fund të njoftimit.
Hajdari u shpreh falënderues për të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur gjatë viteve, duke konfirmuar se mbetet i përkushtuar ndaj PDK-së dhe angazhimeve të saj politike.










