“Negociatori i Prishtinës në dialog, pavarësisht nga zgjidhjet kadrovike, është ekskluzivisht përfaqësues i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë”, ka deklaruar drejtori i zyrës serbe për Kosovës të ngarkuar për propagandë armiqësore ndaj Kosovës, i cili njëkohësisht është edhe kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, transmeton Paparaci.
Ky është, në fakt, një reagim ndaj deklaratave të ministrit të ri të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili në një bisedë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, theksoi se procesi i dialogut në të ardhmen do të zhvillohet nën kujdesin e kësaj ministrie.
Lidhur me këto deklarata, kreu i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar se negociatori i Prishtinës është “ekskluzivisht përfaqësues i institucioneve të përkohshme në Prishtinë”.
“Të gjitha në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për nisjen e Dialogut. Korniza e përcaktuar qartë, jo ëndrrat e kota të dikujt, e përcakton rrjedhën dhe drejtimin e dialogut”, ka shkruar Petkoviqi në rrjetin X./Paparaci.com









