Zyrtari serb Petar Petkoviq ia ka bërë të ditur të dërguarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku mes Serbisë dhe Kosovës varet nga gatishmëria e kësaj të fundit për ta themeluar një asociacion të komunave me shumë serbe, njoftoi Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.
Sorensen u takua me Petkoviqin në Beograd të premten, dy ditë pas vizitës në Prishtinë, në një përpjekje të re për të shënuar përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Petkoviq, i cili është drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, bisedoi me të dërguarin e bllokut për mundësitë për avancimin e dialogut të stagnuar.
Petkoviq “ia përcolli një mesazh të qartë” Sorensenit se për çdo përparim i dukshëm në dialog “është e nevojshme të ndërmerren hapa konkretë për të themeluar” Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për të diskutuar draft-statutin e Asociacionit, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.
Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.
Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kosova nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë dhe edhe ajo i ka vënë kushte Serbisë.
Gjatë vizitës së Sorensenit në Prishtinë të mërkurën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha vendi i tij është i gatshëm për normalizim të raporteve me Serbinë, por pati sërish kërkesa për të.
Ai tha se, së pari, Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin – ish-nënkryetarin e Listës Serbe që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Po ashtu, ai tha se Serbia duhet ta tërheq “letrën e ish-kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”.
Sorensen tha në Prishtinë se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të sulmit vdekjeprurës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter policor kosovar dhe tre sulmues serbë.
Kjo ishte vizita e parë e Sorensenit në këto dy vende qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.
Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.
Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian./REL/










