Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e instaluar për të bërë propagandë armiqësore ndaj Kosovës, Petar Petkoviq, kësaj here i është ankuar shefit UNMIK-ut, Peter Due, për, siç pretendohet në propagandën e kësaj zyre, “shembuj të shumtë të shkeljes së të drejtave themelore njerëzore dhe politike të serbëve, si dhe për veprimet e njëanshme të Prishtinës”, transmeton Paparaci.
Petkoviqi ka theksuar rëndësinë e veprimit të UNMIK-ut në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai ka thënë se pret që Misioni në raportet e tij të vazhdojë të dokumentojë “cenimin e të drejtave të komunitetit serb”.
Ai gjithashtu ka pretenduar se Serbia merr pjesë në dialogun me Kosovën në Bruksel “me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve”.
Petkoviq ankohet se tashmë gati 13 vjet po pritet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thuhet në njoftim.
Ai ka përmendur edhe njoftimin për zbatimin e ligjit për të huajt dhe automjetet, duke pretenduar se “ato mund të cenojnë më tej të drejtat e serbëve, përfshirë lirinë e lëvizjes, të drejtën për punë, arsim dhe mbrojtje shëndetësore”.
Petkoviqi ka kërkuar që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje si prioritet, me qëllim që, sipas fjalëve të tij, “të parandalohet cenimi i mëtejshëm i të drejtave ekzistenciale të serbëve në Kosovë”.
Takimit i ka marrë pjesë edhe Dominika Krois, shefja e Zyrës së OKB-së në Beograd./Paparaci.com










