Peshk me Albin Kurtin!

Shkruan: Kimete Berisha

– Unë e kam refuzuar një takim me Albin Kurtin, pasi që kam pranuar ta takoj, ama unë jam ndryshe, mua më ka hije.

– Në çastin e fundit i kam thënë ndërmjetësueses ‘e kam nanën smutë’, arsye e prapambetur kjo, e di, por kurrë s’kam pasur tjetër arsye për t’u nxjerr nga situata.

– Unë e refuzova, jo nga mosrespekti, por, sepse në atë parti veç Albinin e marr seriozisht.

Sigurisht kjo më bën të dukem mendjemadhe, por ja që jam.

Çfarë po ndodh?

– Janë nervozuar gjindja pse Memli ka pranuar të takohet me Albinin?

– E pse janë nervozuar?

Pse qenka keq të takohesh me Albin Kurtin!

– Avdullah Hoti u mërzit edhe më shumë se Lumiri.

Lumiri nuk pranon të takohet me Memlin, por pretendon se duhet ta mësojë Memlin se më kë duhet të takohet ai.

– Sikur ta kishte takuar Lumiri (e ardhmja e odave tona), ndoshta Memli s’do të takohej me Albinin….se me dikë duhet të takohet Memli.

– Avdullah Hoti u nervozua më së shumti: Atij më i keq po i duket takimi i Memlit me Albinin sesa vetja kur takohej me Vuçiqin dhe kur Vuçiqi e pyeste ‘a di ti serbisht’, e ky i përgjigjej si nxënës ‘pomalo’.

– Se demek nëse di pak serbisht je ‘patriot’ në krahasim me atë që e di serbishtën ujë, si unë.

– Para se Albin Kurti të bëhej ‘armiku’ i PDK-së, ‘armiku’ më i madh dhe armiku jetësor i PDK-së ka qenë LDK (me apo pa arsye, s’më intereson).

– Të gjitha akuzat që e kanë portretizuar PDK-në si ‘kriminale’ dhe monstruoze janë bërë nga LDK-ja.

– Pra, PDK i është nënshtruar një gjyqi publik 20 e kusur vjeçar dhe po vazhdon të gjykohet edhe sot lufta për liri, shkaku se LDK kurrë pa pushuar ka thënë: ‘PDK janë kriminelë’.

– Vetëvendosja është e vonshme, s’ka as akuza të vetat.

Vetëvendosja e kanë huazuar propagandën e LDK-së për ta bërë PDK-në të duket ‘lugat’.

– Dhe, kjo nuk e ka penguar Hashim Thaçin të merret vesh me Isa Mustafën, anipse nga akuzat e LDK-së nuk është liruar as sot e kësaj dite.

– Para se Memli Krasniqi të hante peshk me Albin Kurtin….s’ka lënë kush pa u takuar me kënd.

Dhe, Isa Mustafa ka bërë qeveri me Listën Serbe!

– Ani çka?

Vakti e ha kashtën.

– Ama tash po çuditen që Memli është takuar me Albinin.

A është e mundur?!

LDK u bë xheloze se rrezik Albini po ua merr Memlin, me të cilin, që thashë, as nuk pranojnë të takohen.

– Është gjest i prapambetur ta refuzosh ftesën për paqe dhe për marrëveshje!

Por është mençuri të kuptosh se pse Albin Kurti ka nevojë për PDK-në?

– Sepse e ka provuar LDK-në.

LDK është ‘ishe’ e Albin Kurtit!

– Pse LDK ia lejon vetes të kaluarën ‘e pandershme’ kur ka bërë qeveri me Albin Kurtin, e PDK-së nuk ia lejon të bëhet ‘e pandershme’ në të ardhmën, duke u takuar me Albin Kurtin.

– Pse veç PDK u dashka të jetë ‘e ndershme’ e të mos e provojë me Albin Kurtin!

– Albin Kurti është i ‘madh’ në numër, por PDK i duket e madhe në vepra.

– Albin Kurti ka treguar se ka nevojë për PDK-në.

Që është krejt normale.

Atij i pëlqen PDK se i duken trima, prandaj dëshiron ta ndajë rrezikun me trima.

– Të gjithë të hidhëruarit nga ky takim, duhet ta dinë se nuk janë më të mirë se Albin Kurti.

Ama, aspak. As nuk i afrohen.

– Këtu gara është se cili është më i keq se tjetri, se mirë e mbarë s’kemi parë ende.

– Mua do të më pëlqente që Vetëvedosja të bëhej bashkë me PDK-në!

Pse jo?

Ali hoxha – hoxhë Alia!

P.S. Para hundëve të Memlit përmbi tavolinën e takimit ishin vendosur një tufë lule të bardha, që sigurisht të dielën në hotel i ka harruar ndonjë nuse e dalldisur!

Abelardit veç çka s’i kish hyrë gjyli i bardhë në gojë se saksinë me lule e kish edhe më afër…

Dukej i shkrirë i tëri…Abelardi.

– E, që peshku i madh e ha të voglin, askush nuk ka faj.