Peshëngritësi shqiptar, Briken Calja rrëmben 3 medalje në Europian
Peshëngritësi shqiptar, Briken Calja, ka shkëlqyer në Europianin që po zhvillohet në Rumani, duke marrë 3 medalje ari.
Peshëngritësi shqiptar arriti të kalojë me sukses të 3 provat dhe të ngrejë 146 kilogramë, duke zënë vendin e parë në peshën deri 69 kilogramë në stilin e shkëputjes.
Po ashtu, Calja u rendit i pari edhe në stilin e shtytjes me 175 kilogramë, në provën e tretë të tij. Ndërkohë, peshëngritësi shqiptar ishte pa rivalë në dygarësh me 321.
“Jam shumë i lumtur. Suksesin ia dedikoj familjes, miqve dhe gjithë shqiptarëve”, tha Calja pas garës.
Në të njëjtën kategori, peshëngritësi tjetër shqiptar, Arbër Çerçizi arriti të renditet vetëm në vendin e 7. Ky i fundit ngriti 135 kilogramë në provën e parë dhe dështoi në dy të tjerat, për të ngritur 141 dhe 142 kilogramë.