Pesë dite zie në Zvicër pas tragjedisë me mbi 40 të vdekur – dalin edhe pamjet kur bari merr flakë

Zvicra ka shpallur pesë ditë zie kombëtare pas zjarrit shkatërrues që përfshiu një bar gjatë festimeve të Natës së Vitit të Ri në resortin alpin Crans-Montana. Tragjedia la rreth 40 persona të vdekur dhe 115 të plagosur.

Presidenti zviceran, Guy Parmelin, e quajti incidentin “një nga tragjeditë më të këqija që vendi ynë ka përjetuar”.

Sipas dëshmitarëve, zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit në barin Le Constellation, pasi dyshohet se shkëndija ose fishekzjarrë u vendosën në shishe shampanje. Dy gra thanë se një banakier po mbante një punonjëse femër që kishte në dorë një shishe të tillë. Flakët prekën tavanin dhe brenda sekondash zjarri u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme.

Bodrumi i lokalit, ku ndodhej një klub nate i mbushur me njerez, u përfshi menjëherë nga flakët dhe tymi. Shumë nga të pranishmit ishin adoleshentë. Njerëzit u përfshinë nga paniku dhe u përpoqën të iknin përmes shkallëve shumë të ngushta, çka shkaktoi shtyrje dhe bllokime. Disa persona dyshohet se u bllokuan dhe humbën ndjenjat për shkak të thithjes së tymit.

Video të publikuara nga të mbijetuarit treguan flakët duke u përhapur menjëherë mbi banak, ndërsa pamje të tjera shfaqnin skena të rënda jashtë lokalit, me flakë që dilnin nga kati përdhes dhe persona të shtrirë në rrugë.

Prokurorja e kantonit Valais, Beatrice Pilloud, konfirmoi se po zhvillohet një hetim për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit. Disa nga të prekurit ishin turistë nga vende fqinje. Italia konfirmoi se 16 shtetas të saj rezultojnë të zhdukur dhe 12 të tjerë janë të plagosur. Bar-klubi Le Constellation, i hapur në vitin 2015 dhe me kapacitet deri në 300 persona, ishte i njohur si një vend i lirë dhe i frekuentuar nga të rinjtë dhe turistët.

Banorë lokalë thanë se gjatë festave të Vitit të Ri kontrollet për moshën shpesh ishin më të pakta, dhe se adoleshentë edhe 14-vjeçarë frekuentonin lokalin. Në ambient kishte edhe shisha, dhe disa dyshime lidhen me qymyrin e tyre si burim i mundshëm i zjarrit.

Autoritetet zvicerane e përshkruan zjarrin si një “embrasement généralisé”, një fenomen ku gazrat e djegshëm çlirohen dhe shpërthejnë menjëherë, duke shkaktuar një përhapje shumë të shpejtë dhe vdekjeprurëse të flakëve./Panorama.al