Përveç Vetëvendosjes, në Gjykatë Supreme u ankua edhe një parti tjetër për rezultatin e 9 shkurtit

Koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB) ka njoftuar se dje në afat ligjor ka dërguar një ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Të njëjtën ankesë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte hedhur poshtë krahas edhe tri kërkesave tjera të dy subjekteve, LVV dhe PDK, raporton Gazeta Express.

Ky koalicion po e akuzon Partinë e Ashkalinjve për Integrim për orkestrim të votave të diasporës.

“Koalicioni PDAK-LPB ka dërguar në afat ligjor ankesën në  Gjykatën Supreme, duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës nga subjekti politik PAI. Nga rezultatet nga QKN të qasshme në databazën e KQZ, PDAK-LPB kishte marrë gjithsejtë 1977 vota apo 0.23% krahas Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI) që kishte marrë 1821 vota apo 0.22%. Pra, një dallim votash prej 156 votash e bënte fitues Koalicionin PDAK-LPB. Mirëpo, orkestrimi i votave të diasporës e ka përmbys rezultatin dhe me këtë rezultatet komuniteti Ashkali përfaqësohet nga subjekti politik i PAI i udhëhequr kryetari z.Etem Arifi i cili kishte qenë i dënuar me burg efektiv”.

PDAK-LPB thotë se me këtë rast është dëmtuar nga procesi i votimit me postë nga diaspora sepse “bazuar në provat e bashkëngjitura tregohet qartazi se këtu kemi të bëjmë me manipulim të votuesit të diasporës duke u marrë letërnjoftimet e tyre dhe duke i regjistruar në pajisjet e tyre, duke hapur email për ta (gjë që i ka bërë pronar dëftesash) dhe duke i votuar votat e tyre pa dijeninë e tyre. E kjo padyshim që nuk mund të quhet ndryshe përveç se orkestrim votash”.

“Për të vërtetuar pretendimet e PDAK-LPB se kemi të bëjmë me manipulim të vullnetit të votuesit nga PAl, gjegjësisht faktit se këta votues nuk kanë votuar fare ose nuk kanë shprehur mendimin e tyre as për subjektin politik dhe as per kandidatët, kemi emrat dhe mbiemrat e disa prej tyre që jetojnë në diasporë me prejardhje nga Kosova të cilët janë manipuluar nga PAI dhe prokuroria ka filluar hetimet. Përveç kësaj si provë kemi audioinçizimin dhe videon ku ata qartazi tregojnë se i kanë dërguar letërnjoftimet, apo ja kanë marrë letërnjoftimet, ju është hapur emaili nga PAI dhe këta fare nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit pra të njëjtit nuk e kanë shprehur mendimin e tyre as për subjektin politik dhe as për kandidatët”.

Ky koalicion po i kërkon Supremes që të anulojë 211 votat e partisë politike PAI të dërguara me postë ose të urdhërojë rinumërim, të anulojë 108 votat në komuna që fare nuk ka banorë të komunitetit ashkali dhe kërkon rinumërimin e votave në shkollën “Mihal Grameno”.

Dje edhe partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, shfrytëzoi afatin kohor për të dërguar një ankesë në Supreme me pretendimin se LDK-ja ka manipuluar me votat e ardhura me postë.

Gjykata Supreme ka pesë ditë që të shqyrtojë dhe të marrë vendim mbi këto ankesa.