Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka marrë vendim sot për shkarkimin e biznesmenit Rrahim Pacolli nga pozita e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Kjo u bë me arsyetimin se figura e Pacollit nuk i bën aspak nder Shqipërisë. Por, Pacolli nuk është konsulli i vetëm i Shqipërisë në Kosovë. Periskopi ju sjell të plotë listën me konsujt e nderit të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas – konsujt nderi të Kosovës në Shqipëri.
Ndonëse ende nuk është zyrtare, biznesmeni Rrahim Pacolli u shkarkua nga kryediplomati Cakaj me arsyetimin se figura e tij nuk i bën nder Shqipërisë.
Pacolli, këtë pozitë të rëndësishme nderi e me privilegje e kishte mbajtur me vite.
Ai me këtë post ka përfituar targa diplomatike të Shqipërisë si dhe ka pasur mundësinë që të kalojë kufirin, pa u kontrolluar nga autoritetet shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Shkarkimi i tij u bë i ditur nga mediat, të cilat shkruan se veprimet e tij nuk përkojnë me imazhin e Shqipërisë, duke mos specifikuar se çka saktësisht nënkupton kjo gjë.
Por, Pacolli nuk është konsulli i vetëm i Shqipërisë në Kosovë.
Të njëjtën pozitë e gëzojnë edhe Tahir Emra, Blerim Devolli, Remzi Ejupi dhe Valon Ademi.
Emra, është Konsull nderi në Komunën e Gjakovës, Devolli është Konsull nderi në Komunën e Pejës, Ejupi është Konsull nderi në Komunën e Vushtrrisë, ndërsa Valon Ademi është Konsull nderi në Rrethin e Gjilanit. Derisa, Pacolli ishte Konsull nderi në Komunat Prizren, Dragash, Suharekë dhe Mamushë.
Por, në anën tjetër Kosova nuk ka kaq shumë konsuj nderi në Shqipëri.
Ka vetëm një. E, ai është Mentor Nazarko.
Nazarko për një kohë të gjatë ka qenë analist i shtypit dhe mediave. Ai ka pasur përvojë edhe si Këshilltar i Presidentit të Republikës si dhe drejtues i disa mediave, derisa raportohet se ka angazhime universitare në disa institucione publike dhe private të arsimit të lartë.
Vendimeve të Gent Cakajt për shkarkimin e konsujve u ka parapri edhe disa vendime të tjera të tij për këto çështje.