Kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën dhe Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, kanë përuruar objektin e ri të Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Izvor të Zveçanit – dy kilometra larg kufirit me Serbinë.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se ojekti i ri është një investim prej 753 mijë euro dhe ka një sipërfaqe të gjithmbarshme prej afër 3,980 metra katrorë. Nga aty, sipas ZKM’së, do të shërbejë Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, e cila nga ky stacion do të përkujdeset për sigurinë kufitare dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale që cenojnë sigurinë e vendit.
“Me rastin e përurimit kryeministri Kurti u shpreh se zyrtarët policorë tani do të kenë kushte të dinjtetshme të punës por edhe se performanca e tyre do të jetë e një cilësie të lartë sa i përket parandalimit të kontrabandës dhe çfarëdo veprimtarie tjetër ilegale. Ai falënderoi operatorin ekonomik, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për këtë bashkërendim të shkëlqyeshëm, si rezultat i së cilit punimet përfunduan dhe objekti i përuruar gjashtë muaj e gjysmë pas vënies së gurthemelit më 25 nëntor të vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.
ZKM ka ndarë edhe disa pamje të këtij objekti nga brenda./Reporteri.net