Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka kritikuar klimën politike të krijuar në Kosovë, për të cilën tha se më herët Kosova merrej si shembull.
Ai tha se më herët Shqipëria ka qenë keq në këtë drejtim ku njerëzit e urrenin njëri-tjetrin dhe tha se edhe në Kosova ka nisur kjo të ndryshojë pak, duke shtuar se s’duhet të quhet krim gjithçka që bën opozita.
“Nuk e di çfarë të them për marrëdhëniet e Kurtit me komunitetin ndërkombëtar. Në Kosovë shoh që ka shumë njerëz që nuk po punojnë bashkë dhe kjo është sigurisht shumë e keqe. Siç e dini, unë kam qenë më herët në Shqipëri dhe atje ishte ai nivel ekstrem: njerëzit që e urrenin njëri-tjetrin, që akuzonin njëri-tjetrin për gjërat më të këqija të mundshme. Gjithmonë Kosova merrej si shembull, sepse njerëzit ishin më të sjellshëm. Por duket se edhe kjo ka ndryshuar pak; edhe këtu njerëzit kanë filluar të sillen keq, jo aq sa në Shqipëri, por prapë. Nuk duhet të shkoni në atë drejtim, ku çdo gjë që bën opozita quhet krim”, theksoi Bosch për ekonomiaonline .
Ai foli edhe për dëmin që po shkaktohet qytetarëve të Kosovës nga zvarritjet e krijimit të institucioneve.
Kjo situatë është e dëmshme për vendin, sepse shumë procese nuk mund të nënshkruhen. Kam dëgjuar edhe biznesmenë këtu që thonë se janë në pritje të kontratave, por askush nuk është i autorizuar t’i nënshkruajë, pasi qeveria është vetëm kujdestare dhe nuk ka kompetencë për vendime të tilla. Kjo dallon nga Holanda, për shembull, ku edhe qeveritë kujdestare mund të nënshkruajnë shumë vendime; Parlamenti mund të mos pajtohet, por të paktën vendi nuk paralizohet. Këtu, për arsye që nuk i kuptoj, proceset janë bllokuar plotësisht”, tha Bosch.











