Përplasje në trafik në Mitrovicë të Veriut, pesë persona përfundojnë në Polici

Një mosmarrëveshje në trafik ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe shoqërimin e pesë personave në stacionin policor në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Mitrovicë të Veriut.

Rreth orës 02:00, pranë përmendores së “Car Llazar-it”, dy vetura janë ndalur pas një konflikti verbal mes drejtuesve të tyre.

Nga veturat kanë dalë dy persona, të cilët kanë filluar të shtyhen dhe të fjalosen mes vete, transmeton Klankosova.tv.

Policia e Stacionit në Mitrovicën e Veriut ka reaguar menjëherë duke parandaluar që përplasja të përshkallëzohej në rrahje fizike.

Si pasojë, pesë persona – i dyshuari P.C. (31 vjeç), ankuesi N.J. (30 vjeç) dhe tre dëshmitarë – janë shoqëruar në polici për intervistim.

Rasti është paraqitur tek Prokurori i Shtetit dhe, pas konsultimeve, është iniciuar si vepër penale “Sulm”.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.