Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 9 shkurtit është bërë shkas për një përplasje të re në mes të Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy partitë kanë paralajmëruar se betejën për këtë çështje do ta vazhdojnë nëpër gjykata.
Derisa partia në pushtet ka bërë me dije se për votat më postë të LDK-së do të ankohet në Gjykatën Supreme, partia e Lumi Abdixhikut ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj partisë së Albn Kurtit.
Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzua dje pretendimet e LVV-së për të anuluar rezultatin e votimit me postë të LDK-së.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, nuk është pajtuar me vendimin e PZAP-së, duke e cilësua atë si të ndikuar politikisht.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka paralajmëruar se VV-së do të dorëzojë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së, shkruan Nacionale.
“PZAP, ka dështuar të merret me thelbin e ankesës sonë, duke i ikur kështu përgjegjësisë ligjore në trajtim të fakteve dhe provave të paraqitura nga Lëvizja VETËVENDOSJE! PZAP nuk ka bërë hetime administrative të asnjë kutie të votimit edhe pse janë paraqitur me qindra mostra të provave se manipulimet e votave me postë në mënyrë industriale kanë ndodhur. PZAP vendosi për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë, të orkestruar nga LDK dhe udhëheqja e saj. Shpresojmë se Gjykata Supreme nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, joprofesionalizimit dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politik dhe parapolitik”, ka shkruar Sallahu.
Në anën tjetër, LDK-ja e ka përshëndetur vendimin e PZAP-së.
Përmes një komunikate për medie, LDK-ja ka vlerësuar se pretendimet e VV-së kanë qenë shpifje.
Për këtë, kjo parti ka paralajmëruar edhe padi ndaj partisë në pushet.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin PZAP-së i cili konfirmon se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës sonë. Ky akt e dëshmon qartë se pretendimet e tyre ishin thjesht një përpjekje për të mbrojtur organizimin e vetëm partiak të manipulimit të votës së mërgatës të dokumentuar me video. Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e organizuar të shpifjeve dhe dezinformatave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka për qëllim të komprometojë procesin zgjedhor dhe të delegjitimojë rezultatet që nuk i përshtaten interesave të saj”, është thënë në komunikatën e LDK-së, duke vlerësuar së më nuk do t`i tolerojë shpifjet e VV-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor. Të gjithë ata që përhapin dezinformata me qëllim të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve të pavarura do të mbajnë përgjegjësi ligjore. LDK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të paditur për shpifje të gjithë ata që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe antidemokratike në rezultatet zgjedhore. Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e secilit votues, brenda e jashtë Kosovës. Përpjekjet e Vetëvendosjes për të uzurpuar procesin zgjedhor me manipulime, shpifje dhe dezifnormata do të sfidohen me vendosmëri. Demokracia nuk mund të jetë peng i një partie që nuk e pranon vullnetin e lirë të qytetarëve”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Dërgimi i ankesës në Gjykatë Supreme nga ana e VV-së do të mund të ndikonte në zvarritjen e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas procedurave ligjore, subjektet politike kanë 48 orë nga pranimi i vendimit të PZAP për të ushtruar të drejtën e tyre për apelim në Gjykatën Supreme.
Në rast të parashtrimit të ndonjë ankese, Supremja ka kohë 5 ditë për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto ankesa.