Cesc Fabregas u dallua edhe në intervistat pas ndeshjes, duke kërkuar falje për episodin rreth minutës së 80-të: “Para së gjithash dua të kërkoj falje, sepse bëra një veprim antisportiv, që shpresoj të mos e përsëris më. I rrëmbyer nga emocionet preka topin me dorë duke penguar Milanin të rifillonte lojën. Siç tha Chivu, duart t’i lëmë në shtëpi, por sot gabova”. Pas atij momenti shpërtheu edhe një përplasje mes pankinave, që solli përjashtimin e Massimiliano Allegrit.
Në konferencë shtoi: “Kërkoj falje sërish. Komenti i Allegrit është i ekzagjeruar, ishte vetëm një prekje, por nuk duhej bërë. I kërkova falje edhe Modric dhe Maignan. Shpresoj të mos ndodhë më”.

Massimiliano Allegri foli pas Milan-Como, duke u ndalur tek episodi me Fabregas: “Mendoj se pati një faull. Nëse nuk gaboj, Saelemaekers po nisej në kundërsulm dhe u tërhoq nga dikush nga pankina, besoj nga Fabregas. Herën tjetër, nëse dikush vrapon pranë vijës anësore, a të bëj edhe unë të njëjtën gjë? Shkova aty për të mbrojtur Saelemaekers, lojtari reagoi dhe në atë moment më doli përpara një nga Como, nuk e di kush ishte, por nuk ndodhi asgjë”.
Tensioni mes dy trajnerëve, që kishte nisur që pas ndeshjes së parë, nuk përfundoi aty. Sipas raportimeve, jashtë sallës së shtypit pati shkëmbim fjalësh të ashpra, me teknikun kuqezi që i drejtoi akuza të forta kolegut spanjoll të Como-s.
The post Përplasja e ashpër me Allegrin, leksioni i Fabregas: Kërkoj falje, bëra një veprim antisportiv appeared first on Telesport.










