Ekspozimi i fëmijëve në fushata zgjedhore po vazhdon, edhe pse kjo praktikë ndalohet me ligj
Së fundmi, kryetari aktual dhe njëherit kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje ku shfaqen disa fëmijë në një pishinë.
Me këtë video, Rama ka dashur të promovojë programin e tij të quajtur “Noti për të Gjithë”, duke theksuar se fëmijët e kryeqytetit kanë kurse falas noti.
Në video, ai dëgjohet duke u drejtuar fëmijëve me pyetjen: “A keni me qenë të parët në 2030-ën?”, dhe fëmijët përgjigjen: “Po”. Më tej, Rama ka shtuar: “Nuk i dihet ndoshta i shohim në Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ … sepse ne jemi vendi i kampionëve.”

Por, ky veprim përbën shkelje ligjore. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konfirmuar se ekspozimi i fëmijëve në fushatë është i ndaluar. Sipas Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024, neni 3 parasheh se: “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën 15 vjeç në fushatën zgjedhore., shkruan Insajderi.
Në këtë rast konkret, Rama ka ekspozuar të mitur në videon e tij të publikuar sot. Duhet theksuar se edhe gjatë zgjedhjeve nacionale, PZAP ka shqiptuar një sërë gjobash ndaj subjekteve politike që kanë keqpërdorur fëmijët për interesa të tyre elektorale.
Ndërkohë edhe Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) pati ngritur shqetësime serioze lidhur me përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet elektorale nga disa subjekte politike, duke nënvizuar se ky veprim përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve.