Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe marrje të ryshfetit.
Rama ka bërë të ditur se kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Përparim Rama.
“Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik”, ka thënë ai.
“Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë shoqëruar në stacion policor nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Njëri prej të dyshuarve është kapur në flagrancë gjatë një aksioni të ndërmarrë pas hetimeve të fshehta të zhvilluara së fundmi.
Lajmin e konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.
“Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës për marrje të ryshfetit, derisa njëri prej tyre është zënë në flagrancë”, ka thënë Gashi.
Ai ka bërë të ditur se hetimet dhe procedurat ligjore ndaj të gjithë të përfshirëve do të vazhdojnë.










