Përparim Rama njofton për robotin që prodhon tulla, ndërsa Prishtina është shndërruar në beton dhe vuan për gjelbërim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shfaqur një video nga Venecia, ku ka treguar me mburrje një projekt inovativ që po zhvillohet në Prishtinë. Sipas Ramës, në qytet po ndërtohet një robot që do të përdorë materiale të recikluara për të prodhuar tulla, duke arritur të ndërtuar deri në 1 mijë tulla në ditë, raporton Demokracia.com.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, duket se ka gjetur zgjidhjen e duhur për të shpëtuar qytetin nga ndotja, një robot që prodhon tulla nga materiale të recikluara. Në një video të postuar nga Venecia, ai lajmëroi këtë “revolucion” urban, duke theksuar se roboti do të ndërtojë deri në 1 mijë tulla në ditë. Po, kaq shumë tulla ndoshta aq sa do t’ia dalin për të mbushur boshllëqet e një infrastrukture të shkatërruar dhe për të zëvendësuar qytetin që është shndërruar tashmë në një beton të përhershëm.

Por ndërsa Rama kënaqet me idenë e një roboti që ndërton tulla, realiteti në Prishtinë është një tjetër. Qyteti është shndërruar në një mori betoni dhe asfalti, me mungesë totale të hapësirave të gjelbra. Pjesa më e madhe e qytetit është mbuluar nga rrugët e shkatërruara dhe mbeturinat, ndërsa gjelbërimi është një luks që qytetarët nuk e shohin shpesh.

Në mes të këtij kaosi, Rama është më i angazhuar për robotët që prodhojnë tulla sesa për ndihmën që qytetarët kërkojnë për pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit. Ai gjithashtu e shfrytëzoi këtë mundësi për të thumbuar Ministrinë e Kulturës, duke theksuar se mund të ndalojnë çdo projekt që preku trashëgiminë kulturore, siç ka ndodhur me sheshin “Xhorxh Bush”. “Mos i tregoni IKMM’së dhe Ministrisë së Kulturës se vijnë na e ndalin. Mbane privatësinë”,  tha ai në një video, duke thumbuar Ministrinë e Kulturës dhe duke i sugjeruar se ky projekt mund të ndeshë në pengesa, por megjithatë duket se asnjë pengesë nuk e ndal dot betonizimin e qytetit.

Në një qytet që po lufton me rrugë të shkatërruara, mungesë hapësirash të gjelbra dhe ajër të ndotur, Rama është më i interesuar për robotët që prodhojnë tulla sesa për vërtetimin e asaj që qytetarët kërkojnë për një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të jetueshëm. /Demokracia.com/