Që prej disa ditësh, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Donald Trump, por deri sot pasdite nuk është kthyer në vend, shkruan Demokracia.com.
Ndërkohë, në kryeqytet situata duket e paqartë. Dy nënkryetarët e komunës, Alban Zogaj dhe Jehona Lushaku, janë përfshirë aktivisht në fushatat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 9 shkurtit. Të dy janë kandidatë për deputet dhe duket se angazhimet politike i kanë lënë shumë pak hapësirë për t’u marrë me menaxhimin e komunës.
Por situata nuk mbaron këtu. Shumica e drejtorëve komunalë janë gjithashtu në fushatë. Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ai i Inspeksionit, Florian Dushi, ai i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, drejtoresha e Bujqësisë, Donjeta Dragusha, dhe drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, janë të angazhuar në fushatë, pasi po garojnë për deputet.
Për shkak të këtyre angazhimeve, shumë departamente të komunës janë lënë pa udhëheqës të qartë, duke ia kaluar barrën stafit civil, i cili po përballet me një vakum drejtimi.
Në një situatë kur kryetari është në Amerikë dhe nënkryetarët e drejtorët janë në fushatë, Prishtinës po duket një kryeqytet që duket se ka mbetur pa “zot shtëpie”. /Demokracia.com/