Përparim Rama: Kjo qeveri është totalitare, nëse nuk je me ta, je armiku i tyre

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ashpër qeverisjen qendrore.

Ai tha se kjo qeveri është totalitare, duke komentuar buxhetin e votuar në Komunë.

“Kjo është një qeveri totalitare, që nëse nuk je me ta, je armiku i tyre. E kanë blloku në Asamble buxhetin, e më pas kur u votu Gëzim Sveçla i pati nuk mikrofonat”, tha Rama në Dukagjini

Ai  ka thënë se Ministria e Financave për një muaj e gjysmë nuk e kishte dërguar për votim buxhetin e Prishtinës.

Rama tha se si pasojë, kryeqyteti është bllokuar dhe rrezikohen shërbimet shëndetësore, ato te transportit, ndërmarrjet dhe ushqimi i fëmijëve në shkolla.

“Asambleja e Prishtinës e ka votu buxhetin më 9 dhjetor 2024, pra brenda afateve ligjore. Derisa e kemi dërguar kërkesën me shkrim dhe ka marrë kërkesën Ministria e Financave më 17 dhjetor, dhe kanë pasur deri më 31 janar ta fusin në votim buxhetin e Prishtinës, dhe këtë nuk e kanë bërë. Për 1 muaj e gjysmë, dhe si i tillë Prishtina punon pa buxhet të aprovum. S’di çka me fol më shumë, kemi parë kryeministrin në detyrë, vendos vetë si dha ai kur cilat komuna meritojnë buxhetin, kështu që nuk kam çka flas më tepër. Shihet që thonë qartë, Prishtina është e bllokuar qëllimisht, dhe për këtë arsye sot një numër i madh i qytetarëve nuk paguhen”, tha Rama.

Rama, ka thënë se kundër-kandidati Hajrulla Çeku nuk ka plane e as vizion. Rama tha se Çeku flet për demagogji.

“Kemi dërgu kallëzim penal ndaj Hekuran Muratit dhe sekretarit, ata ta tregojnë si ka ndodh. Me kësi demagogji po humbim kohë. Le t’i kthehemi vizionit e projekteve. Ne e kemi miratu, po këta nuk e kanë fut në bxuhet, edhe si rezultat të hyrave tona vetanake, të hyrat tona vetanake që paguajmë taksat ti Ermal, Hajrullahu, unë e të gjithë ata që punojnë, taksat që shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve, këta i kanë bllokuar. Ky nuk din me fol për projekte e vizion, na humb kohën. Jo demagogji që është trajnu me Dejona Mihalin”, tha Rama.

Rama, po ashtu ka kritikuar deklaratat e Çekut për unazën e jashtme.

Ai tha se projektin e unazës e ka përfunduar para katër vitesh, përderisa u bllokua nga qeveria. E sot, sipas tij, Çeku del e thotë që unaza është urgjente. “E shihni çfarë demagogjie, thotë me urgjencë unaza, e na para katër vitesh e kemi përfundu projektin, kemi siguruar fondet 206 milionë, 82 milionë kanë qenë falë, si grant, e këta e kanë blloku, e kanë thënë nuk i shtyjmë përpara projektet elektorale të Përparim Ramës. Pas katër vitesh thotë duhet ta bëjmë me urgjencë. 8 vjet përpara e kanë pasur menaxhmentin e Prishtinës nuk kanë bërë asgjë, e ne kemi mbërri në muajt e parë me kry projektin. Del sot përpara e ka fytyrë thotë është me urgjencë”, tha Rama.