Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit ka deklaruar se mbi 10 milionë euro do të shkojnë në xhepin e përmbaruesve nga borxhi total prej 35.8 milionë euro për kontratat kolektive vetëm gjatë këtij viti. Siç pati pretenduar Murati, përmbaruesit kanë abuzuar me këto tarifa.
Përfaqësuesit e përmbaruesve privatë i kanë konsideruar të pabazuara dhe të papranueshme deklaratat e Muratit për abuzim me tarifa. Në reagimin e tyre thuhet se Murati nuk ka bërë analizë të mirëfilltë për çështjen, se nuk ka informacion e se është deklaruar në mënyrë të përgjithësuar dhe “paushalle”.
Oda e ka quajtur deklaratën e Muratit politike e populiste me qëllim për të dëmtuar reputacionin e përmbaruesve privatë.
Ajo ka kërkuar që Murati të tërhiqet nga deklarata e tij, që çështjet procedurale ligjore të shqyrtohen brenda institucioneve të drejtësisë, dhe ka thënë se nëse Murati nuk tërhiqet nga deklarata përmbaruesit do të shqyrtojnë mundësitë ligjore për “të mbrojtur integritetin e profesionit dhe të drejtën tonë për të ushtruar detyrën në mënyrë të ligjshme dhe të pandikuar nga akterët politikë”.
Në reagim thuhet tutje se përmbaruesit zbatojnë ligjin e nuk e krijojnë atë, ndërkaq Oda ka renditur disa pika.
“Për shkak të deklaratës së pabazuar dhe të pasaktë, kërkojmë nga Ministri i Financave që të tërhiqet nga deklarata e tij e pamatur, e cila rëndon mbi reputacionin e përmbaruesve privatë dhe krijon dyshime e amulli institucionale. Çështjet procedurale ligjore të shqyrtohen brenda institucioneve të drejtësisë, sikurse janë gjykatat e rregullta, dhe jo përmes podiumeve dhe deklaratave të pabazuara politike. Nëse z. Murati nuk do të tërhiqet nga deklarata e tij, ne si përmbarues do të shqyrtojmë të
gjitha mundësitë ligjore për të mbrojtur integritetin e profesionit dhe të drejtën tonë për të ushtruar detyrën në mënyrë të ligjshme dhe të pa ndikuar nga akterët politikë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se mbi 10 milionë euro do të shkojnë në xhepin e përmbaruesve nga borxhi total prej 35.8 milionë euro për kontratat kolektive vetëm gjatë këtij viti. Murati ka shprehur shqetësimin duke thënë se përmbaruesit kanë abuzuar me këto tarifa.
Ende pa përfunduar muaji shkurt, siç ka shkruar Murati, janë dorëzuar 23.118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesarin e Shtetit për shkak të kontratës kolektive, që ai konsideron se është nënshkruar kundër ligjit.
Shuma e kërkuar për përmbarim, sipas Muratit, ka arritur në 35.8 milionë euro vetëm gjatë këtij viti, ku 25.6 milionë janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa 10.2 milionë euro përbëjnë tarifat e përmbaruesve. /