Përmbarimi përtej tarifave

Brenda një dekade përmbaruesit kanë ngarkuar qytetarët me një shumë përtej tarifave që parashihen me një udhëzim administrativ të vitit 2014.

Që nga ushtrimi i këtij profesioni, edhe pse në udhëzimin administrativ 06/2014 që përcakton tarifat e përmbaruesve, nuk ceket që tarifave u shtohet edhe Tatimi në Vlerën e Shtuar, ata çdo tarife i kanë shtuar edhe 18 për qind të vlerës.

Me raste të tilla është përballur edhe Telekomi i Kosovës.

Drejtori i Financave në këtë ndërmarrje, Feim Kelmendi, ka thënë se kanë drejtuar edhe ankesa në Komisionin Disiplinor ndaj Përmbaruesit Privat, në Ministri të Drejtësisë, por se nuk u është marrë për bazë ankesa.

“Ne kemi paraqitur në komisionin disiplinor në Ministri të Drejtësisë, por komisioni nuk e ka paraparë si shkelje, me arsyetimin, që për mendimin tim është i pakuptueshëm, për të mos thënë banal, pasi ka thënë se gjithmonë është aplikuar në këtë formë. Fakti që është aplikuar gjithmonë në këtë formë të gabuar, nuk do të thotë që është e ligjshme”, ka thënë Kelmendi.

Afro tre vjet më parë ky udhëzim administrativ është ndryshuar duke i ulur tarifat e përcaktuara për shërbime të përmbarimit, por që aty është precizuar që shumave iu shtohet edhe TVSH-ja.

Megjithatë ky udhëzim nuk aplikohet për lëndët që janë në proces para vitit 2022.

Për shkelje të procedurave përmbarimore në Komisionin Disiplinor ndaj Përmbaruesit Privat nga viti 2014 janë dorëzuar 271 ankesa.

Bazuar në këto ankesa dy përmbarues janë shkarkuar nga detyra dhe 25 të tjerë janë gjobitur për shkelje në shuma nga 500 deri në 3 mijë euro.

Për dyshimet, në Ministri të Drejtësisë kanë thënë se nuk mund të paragjykojnë nëse ka hapësira për abuzim.

“Ministria e Drejtësisë gjatë hartimit të Ligjit dhe akteve nënligjore që derivojnë nga ligji, gjithmonë mbetet e përkushtuar që dispozitat ligjore të jenë sa më të qarta, më të kuptueshme dhe gjithmonë bën përpjekje të evitojë dykuptimësinë e normave juridike, andaj, nuk mund të paragjykojmë se Udhëzimi për tarifat e përmbaruesve privatë si dhe udhëzimet e tjera lënë hapësirë që përmbaruesit privatë apo çdo zbatues i ligjit të gjejë hapësirë për abuzim me normën juridike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

E nga Oda e Përmbaruesve Privatë kanë thënë se çdo tarifë është e rregulluar dhe transparente.

“Tarifat e përmbaruesve nuk caktohen sipas dëshirës, por janë të përcaktuara qartë, bazuar në Ligjin për Procedurën Përmbarimore dhe akte nënligjore, përkatësisht udhëzim administrativ konkret”, thuhet në përgjigjen e kësaj ode.

Ajo çka ish-zëvendëskryeministri i atëhershëm, Hajredin Kuçi, e cilësonte si “maje të arkitekturës në drejtësi” ka sjellë humbje të parave të shtetit për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve publike.

Mbi 100 milionë euro u janë marrë komunave vetëm në vitet e fundit përmes procesit të përmbarimit vetëm për kontratën kolektive.