“Përmbahen nga çdo lloj presioni ndaj Vuçiqit”: Zizek i ashpër me BE-në për heshtjen rreth protestave masive në

Filozofi slloven Slavoj Zizek ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për heshtjen ndaj protestave masive të studentëve dhe qytetarëve në Serbi. Sipas tij, BE-ja po vepron si hipokrite duke mos reaguar ndaj kërkimit të qytetarëve për sundim të ligjit dhe institucione funksionale.

“Serbët kërkojnë sundimin e ligjit, pa të gjitha rregullat e pashkruara që hapin dyert për korrupsionin dhe autoritarizmin”, ka theksuar Ziezek në analizë të tij për portalin “Project Syndicate”.

Sipas tij, këto protesta paqësore janë unike sepse nuk janë të drejtuara nga ndonjë forcë opozitare, por thjesht kërkojnë funksionimin e institucioneve shtetërore në interes të qytetarëve.

“Protestuesit duan të shkaktojnë një ndërprerje në procesin që i ka mundësuar partisë në pushtet të mbajë shtetin peng përmes ndërhyrjes dhe mbikëqyrjes mbi të gjitha institucionet”, theksoi ai.

Zizek tha më tej se BE-ja ka zgjedhur të mos ushtrojë asnjë presion mbi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nga frika se ai mund të orientohet drejt Rusisë.

“Ndërsa Ursula von der Leyen ka mbështetur protestuesit në Gjeorgji, ajo ka heshtur për kryengritjen në Serbi, një vend që është kandidat zyrtar për anëtarësim në BE që nga viti 2012”,theksoi ai.