Një përleshje mes disa personave ka ndodhur sot rreth orës 13:00, në lagjen Kalabria në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Nga policia është shtuar se për shkak të përleshjes dy persona kanë marrë lëndime nga thika, të cilët janë dërguar në QKUK.
‘‘Rreth orës 13:00, është raportuar për një përleshje në mes të disa personave në lagjen Kalabria, në Prishtinë.
Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë lëndime nga arma e ftohët (thika).
Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, të cilat kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit i cili më pas është paraqitur në polici.
Aktualisht në koordinim me prokurorin e shtetit po vazhdon puna policore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen’’, ka njoftuar Policia.