Përkujtohet heroi, Luan Haradinaj

Me rastin e 21 vjetorit nga rënia e gjeneral-majorit, Luan Haradinaj të dielën janë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan nga përfaqësues institucional nga pushteti qendror dhe lokal, deputetë, kryetarë komunash, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë të shumtë.

Pas homazheve, kryeministri Ramush Haradinaj tha se janë mbledhur për të përkujtuar një atdhetar të shquar të përmasave kombëtare, Ismail Haradinaj, ideolog i çështjes kombëtare, prijës i lëvizjeve të hershme për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, njëkohësisht për luftëtarin e hershëm Luan Haradinaj, i cili po ashtu ishte nga brezi i parë i luftëtarëve dhe veprues në veprimet e para për liri, mbështetës për mbarëvajtje dhe funksionim të UÇK-së, e deri në komandim.

“Këtë nder sot e kanë bërë të madh të gjithë pjesëmarrësit me prezencën e tyre”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar të gjithë ata që bënë nderim në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët e gjallë dhe gjithë të tjerët.