Me rastin e 19-vjetorit të rënies së dëshmorit, Hamdi (Qazim) Ferati, sot janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Stanoc të Epërm të Komunës së Vushtrrisë, si dhe tek lapidari i dëshmorit në hyrje të qytetit të Vushtrrisë nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëluftëtarë, qytetarë dhe familjarë.
Kush ishte Hamdi (Qazim) Ferati?
Hamdi (Qazim) Ferati u lind në fshatin Sfaraçak të Komunës së Vushtrrisë më 20 shkurt 1959 në një familje të shquar me traditë patriotike. Më 1919-20, babëgjyshi, Ademi e kushëriri i tij, Syla, në pusi te Gryka e Selacit i vrasin shtatë gjandarë serbë. Si hakmarrje, gjandarët e tjerë e rrethojnë dhe e djegin fshatin e tyre. Aty i djegin të gjallë edhe dy pleq që s’ishin larguar nga fshati. Më vonë, më 1941-1943, axha i Hamdiut, Selimi, ka qenë pjesëmarrës në lëvizjet çlirimtare, i cili ka rënë në front për lirinë e Shqipërisë etnike. Ndërkaq, Halimi ishte ushtar në Batalionin e Ibrit, i komanduar nga daja i tij, Ahmet Selaci, patriot e luftëtar i shquar i asaj kohe në Kosovë. Më 1947, Halimin e arrestojnë dhe e dënojnë me dy vite burg.
Hamdiu ishte i dyti, nga pesë djemtë e tri vajzat e prindërve Qazim e Zet-hane Ferati. Fizikisht ishte i shëndetshëm, mjaft i zhvilluar e muskuloz, pos tjerash, i përgatitur për luftë të armatosur.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Samadrexhë, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Vushtrri. Mërgoi në Zvicër, ku u mor me ndërtimtari. Atje hyn në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në shtëpi shpesh ka sjellur literaturë e mjete të tjera me shenja patriotike. Si familje e shënuar nga armiku për patriotizëm të shquar, bastiset nga policia serbe, ku i gjinden e i konfiskohen armë e municion. Për këtë shkak, edhe i vëllai, Sabriu, detyrohet të emigrojë në Zvicër, pa e pritur akt-padinë.
Me rastin e pjesëmarrjes së tij në varrimin e dëshmorit Halit Geci në LLaushë, ku doli në skenë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga : Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj, Hamdiu u frymëzua edhe më tej t’i bashkohet UÇK-së dhe luftës çlirimtare. I telefonon vëllait në mërgim, Sabriut se “nuk mbetet rrugë tjetër përveç luftës për liri dhe prej tani në mua mos llogarit ndryshe, pos detyrës së luftëtarit!”. Ndërkaq, pikërisht në ditën e inaugurimit dhe uniformimit, bashkëshortja e tij e pyet: “Përse je kaq i gëzuar, kur po shkon në front drejt rreziqeve? Ai i përgjigjet: “Sidoqoftë, kjo është kënaqësia ime më e madhe, për të cilën kam ëndërruar qëmoti “.
Që nga ato ditë, Hamdiu ra në kontakt me veprimtarë të rezistencës ushtarake, së pari me dajtë Isë e Selim Mernicën dhe ndër të parët u inkuadrua në luftë, pikërisht më 18 korrik 1998, kryesisht në funksionin e eprorit të policisë ushtarake me gradën e togerit, në kuadër të batalionit të katërt “Enver Musa” të Brigadës 141 “Mehë Uka”, togu PU të ZOSH-it. Por, në raste të domosdoshme, kreu të gjitha detyrat e nevojshme ushtarake në front, armatim, logjistikë e kudoqoftë, madje edhe në furnizim me ndihma materiale për nevoja ushtarake (mish nga pasuria e vet blegtorale, të holla për armatim e municion, veshëmbathje e ushqim, pos tjerash edhe 25.000 DM për të paguar kontingjentin e armatimit të ardhur ilegalisht nga Sarajeva) etj. Pos këtyre, Hamdiu me disa bashkëluftëtarë, përcolli shumicën e kontingjenteve të armatimit ilegal deri në bazë.
Batalioni i IV, i formuar më 4 korrik 1998 me seli në Ceceli nga Gani Imeri, komandant. Në fillim, batalioni ndihmohej nga banorët e fshatit Ceceli, ku e kishte selinë e tij, derisa gradualisht e mori veten dhe u forcua. Vetë Hamdiu i dha mbështetje materiale, morale e shpirtërore, por edhe forcë, krah e rritje këtij batalioni. Pos kësaj, në bashkëpunim me komandantin e batalionit, Gani Imerin, Hamdiu punoi në furnizimin e batalionit me armatim e municion, që ato ditë mungonte. Në cilësinë e komandantit të njësisë për armatim ka qenë në Deçan, bashkë me tezakun bashkëluftëtar Nexhmi Ibishin nga Tërstena.
Sidomos pas ofensivës së shtatorit 1998 në Shalë të Bajgorës, me rastin e rikonsolodimit të brigadës, Hamdiu u caktua për rimëkëmbjen e batalionit të IV me të gjitha nevojat që i duheshin. Si themelues e udhëheqës i Policisë Ushtarake, në kuadër të Batalionit të IV, me gradën e togerit të asaj njësie, dha kontribut të çmuar dhe u bë shembull për njësitet e tilla të batalioneve të tjera të Brigadës.
Më 10 maj 1998 në orën 9:00, Hamdiut me bashkëluftëtarët, Zeqir Gashit dhe Mursel Ukës, u jepet detyrë ushtarake nga komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”, Hys Ahmeti, të shkojë në Vushtrri për furnizim me armë e municion. Rrugës për në Vushtrri, në fshatin Studime, bien në pritë të forcave policore-ushtarake serbe të pozicionuara në dy shtëpi dykatëshe dhe në këmbim të dyanshëm të zjarrit, nga plumbat e një snajperi të armikut, Hamdiu merr plagë të rënda vdekjeprurëse dhe menjëherë merr përjetësinë për liri e atdhe, ndërsa Mursel Uka plagoset më lehtë. Njësia përforcuese e UÇK-së, e lajmëruar nga Zeqiri, pas një përleshjeje të ashpër kundër armikut nga afërsia, arrin ta tërheqë Hamdiun, tashmë të vdekur dhe e varrosin po atë pasdite me nderime ushtarake në Ceceli, në varrezat e dëshmorëve të rënë për Shqipërinë etnike, më 1945.
Rivarrimi i dëshmorit bëhet pas luftës në varrezat e dëshmorëve në Stanoc të Vushtrrisë. Emri i tij prej dëshmori të merituar shkëlqen edhe në lapidar të ngritur në hyrje të Vushtrrisë, në pllakat përkujtimore në Bare e në Lapidarin e dëshmorëve në Marinë të Skënderajt.
Ai la pesë fëmijë, dy djem (Liridoni e Jetoni) e tri vajza: dy binjake (Velora e Valdona) dhe Merita.
(Kjo pjesë rreth biografisë së dëshmorit është marrë nga radio Kosova e Lirë).