Përkrahësi i Çekut përfiton 171 mijë euro nga MKRS – zhduket postimi i mbështetjes pak javë pas subvencionit

Dokumentet zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) tregojnë se organizata joqeveritare “Guidesks” ka përfituar 171,740 euro në kuadër të thirrjes publike “Funksionalizimi i Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore 2025”, shkruan Demokracia.com.

Sipas të dhënave publike, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kësaj OJQ-je është Enes Toska.

Vetë Toska pak javë më parë kishte publikuar një status të gjatë në Facebook, ku shprehte mbështetje të hapur politike për ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrullah Çeku, në kohën kur ai garonte në balotazh për Komunën e Prishtinës. Në postim, Toska lavdëronte punën, profesionalizmin dhe integritetin e Çekut, duke i bërë thirrje qytetarëve ta votonin në balotazh.

Postimi nga rrjeti social facebook është fshirë më vonë nga vetë Toska.

Sipas listës së publikuar nga MKRS, projekti i paraqitur nga OJQ “Guidesks”, me titull “Qendra e Udhërrëfyesve Turistik Kulturor – Hidroeleketrana”, është shpallur përfitues i shumës 171 mijë eurosh.

Nga ana tjetër, ligji nuk ndalon që drejtues OJQ-sh të kenë qëndrime politike, por rastet ku mbështetja politike kombinohet me përfitime financiare nga institucioni i njëjtë që udhëhiqet nga personi i mbështetur zakonisht janë subjekt i analizave publike dhe kërkesave për transparencë.

Në statusin e tij të gjatë në Facebook, të cilin më pas e ka fshirë, Toska kritikon qeverisjen lokale të kaluar dhe argumenton pse, sipas tij, Prishtina duhej ta mbështeste sërish kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai përmendte “punën e dëshmuar”, “integritetin” dhe “profesionalizmin” e Çekut.

Shpërndarja e fondeve publike për projekte kulturore kërkon standard të lartë të llogaridhënies, sidomos kur përfituarësit kanë mbështetje të hapur politike për drejtuesit e institucioneve që ndajnë fondet. /Demokracia.com/