Përfundon takimi Trump-Putin në Alaskë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, së bashku me ndihmësit e tyre kryesorë kanë përfunduar takimin historik në Alaskë.

Tani pritet që ata të mbajnë një konferencë për media për të dhënë detaje lidhur me diskutimet e tyre, teksa Ukraina po e përcjellë ngjarjen në Alaskë me shqetësim, mes frikës se rezultatet mund të rrezikojnë sigurinë ose sovranitetin e vendit.

Takimi, që nisi rreth orës 11:30, sipas kohës lokale, në bazën ushtarake Elmendorf, afër Ankorixhit, përfundoi pas 2 orë e 45 minutash.

Në takimin e dy udhëheqësve morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov.