Përfundon takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini në Bruksel.
Më herët Komisioni Evropian, ka thënë se qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve lidhur me vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në fokus ka qenë përgatitja e fillimit të një faze të re të dialogut.
Në një deklaratë për media Mogherini tha se “të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që ndërmjetëson BE-ja”.
Duke folur për gazetarët pas takimit, edhe Thaçi, edhe Vuçiq thanë se janë pajtuar që të shpeshtohen takimet e tilla, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje midis dy popujve.
Thaçi tha se nuk ndërhyn në debatet e brendshme në Serbi, porse pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial “janë çështje të përfunduara dhe të pakthyeshme”. “Çdo marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve do të jetë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Thaçi.