Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s kanë përfunduar takimin, i cili është fokusuar në shpenzimet e mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën. Për këtë të fundit është diskutuar edhe mundësia për nisjen e negociatave të paqes me Rusinë. Kjo çështje u aktualizua pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se është afër t’i bind liderët e të dy shteteve për t’u ulur në një tavolinë. Ndërkohë, përfaqësues të BE-së kanë folur në selinë e NATO-s për dialogun Kosovë-Serbi.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-së kanë përfunduar takimin e tyre të enjten me idenë e qartë se duhet të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.
Në një ditë të gjatë me takime e aktivitete në selinë e aleancës në Bruksel, ata diskutuan mundësitë drejt këtij synimi, por edhe rritjen e industrisë së prodhimit, krahas kërkesave të njëpasnjëshme të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.
Në konferencën pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte foli rreth mundësisë për nisjen e negociatave për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi presidenti amerikan Donald Trump foli me liderët e të dyja shteteve.
Tha se ato duhet të fillojnë kur Kievi të jetë në pozicion të përshtatshëm. Ndërsa ai u pyet edhe për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi shumë të përfshirë në Kosovë përmes KFOR-it, gjithashtu po përcjellim nga afër dhe po përpiqemi të ndihmojmë ne Bosnje dhe Hercegovinë. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me liderët në rajon, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq. Në një kontekst të vazhdueshëm për tu siguruar që çkado që mund të bëjmë për te kontribuuar në stabilizimin e rajonit, ta bëjmë”, ka thënë Rutte.
Kosova dhe Serbia ishte temë diskutimi edhe në një takim tjetër në margjinat e takimit.
Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas tha në një takim me gazetarë se po shikon mënyrën se si ta kthej dialogun mes dy shteteve në rrugë të mbarë.
“Ndërkohë dëgjojmë kritika rreth këtij formati. Prandaj unë vërtetë dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e jashtëm të Serbisë. Dhe ai më ka thënë se është i gatshëm vërtetë të investojnë kohë në normalizimin. Dhe po ashtu natyrisht sapo kemi pasur zgjedhjet në Kosovë. Të shohim se si do të formohet qeveria e re dhe në cilën mënyrë do të ecim tutje”, ka thënë Kallas.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur në mospajtimet e palëve për zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me njëra tjetrën.