Ka përfunduar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Pjesëmarrës në seancë ishte edhe vetë Kurti, i cili pas prezantimit bëri me dije se nuk ka angazhuar avokat dhe do të përfaqësojë veten në këtë rast.
Prokurori i rastit e lexoi aktakuzën, ku u shpalos se të dytë, Klinaku dhe Selmani, e kanë kanosur me jetë të dëmtuarin Kurti, nëpërmjet profileve të tyre personale në rrjetin social Facebook.
Në mes të tjerash, u lexuan fjalë për fjalë postimet e Klinakut, që deklaroi se më përpara e vret Albin Kurtin sesa që i lëshon rrugën.
Si Klinaku, ashtu edhe Selmani mohuan akuzat, duke u deklaruar si të pafajshëm.
“Konsideroj se nuk ka vepër penale dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kanosjeje dhe nuk e pranoj”, tha Klinaku.
Edhe i akuzuari tjetër, Nuredin Selmani u deklarua i pafajshëm.
“Jo, nuk e pranoj”, tha ai.
Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri tha se meqenëse nuk ka pranim të fajësisë, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ramë Dreshaj dhe Labinot Vata, në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtim të provave.