Përfundon numërimi i votave nga diaspora, me kusht dhe me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të votave me postë, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

KQZ ka njoftuar se të hënën procesi i numërimit do të vazhdojë për një pjesë të pakove që janë tërhequr nga kutitë postare në ShBA dhe Australi.

Më poshtë paraqiten të dhënat e detajuara për komunat Prishtinë, Fushë Kosovë, Pejë, Mitrovicë e Jugut dhe Viti, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në faqen zyrtare të saj ka publikuar edhe rezultatin e votave me postë për Komunën e Prishtinës. Votat nga diaspora më së shumti i ka marrë kandidati i Vetëvendosjes.

Hajrulla Çeku ka marrë gjithsej 395 vota, ndërsa Përparim Rama ka marrë 168 vota. Nga votat me kusht, Çeku ka marrë 82 vota, derisa Rama 54. nga votat e personave me nevoja të veçanta Përparim Rama ka marrë 108 vota, derisa Hajrulla Çeku 68 vota.

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave me post, kusht dhe atyre me nevoja të veçanta në Komunën e Fushë Kosovës.

Nga votat me postë Prebreza ka marrë 100 sosh, derisa Osmani 50. Valon Prebreza i VV-së prin me votat me kusht dhe ka siguruar 70.18% të tyre, ndërsa Besnik Osmani i LDK-së ka marrë 29.82%. Kurse, te votat me nevoja të veçanta kryeson Osmani me 51.61%, ndërsa Prebreza ka marrë 48.39% të këtyre votave.

Në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashmë janë publikuar rezultatet e numërimit të votave me kusht dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta për balotazhin e 9 nëntorit në Komunën e Pejës.

Sa i përket votave me nevoja të veçanta, Gazmend Muhaxheri ka marrë 107 vota, ndërsa kandidati i VV-së, Taulant Kelmendi, vetëm 38. Ndërsa te votat me kusht, Kelmendi ka marrë 14 vota, ndërsa Muhaxheri vetëm 8.

Në faqen e KQZ-së tashmë janë publikuar votat me postë për Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Fitore edhe me votat e diasporës ka shënuar kandidati i Vetëvendosjes.

Faton Peci i VV-së ka marrë gjithsej 298 vota, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së ka marrë 125 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatin e votave me postë për Komunën e Vitisë, ku rezultati mes Sokol Halitit të LDK-së dhe Arsim Ademit të VV-së ka qenë shumë i ngushtë.

Edhe pas numërimit të votave me postë, nga të cilat Ademi ka marrë 317 dhe Sokol Haliti 234, LDK ka arritur të mbajë primatin e partisë fituese të balotazhit, me një dallim prej vetëm 136 votash në rezultatin përfundimtar. Sipas faqes së KQZ-së, Sokol Haliti ka gjithsej 8,622 vota, ndërsa Arsim Ademi 8,486.