Përfundon manifestimi i Vidovdanit

Në Gazimestan, rreth dhjetë kilometra larg Prishtina, serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit, e festuan edhe këtë 28 qershor Vidovdanin, në kujtim të betejës kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Vidovdani festohet tradicionalisht edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rit fetar, si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.

Pas ritualit përkujtimor të mbajtur nga kisha, individë, sikurse në vitet e kaluara, filluan të këndonin këngë për Kosovën dhe të bërtisnin “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova është Serbi”.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, më pas, u vendos në dalje dhe disa vizitorë u ndaluan dhe u shoqëruan në makinat e policisë, raporton Evropa e Lirë.

Festimi i Vidovdanit këtë vit kaloi pa incidente tjera të mëdha, ndërkaq zyrtarët policorë i kanë kontrolluar të gjithë ata i janë bashkuar festës.

Të pranishëm këtë vit në Gazimestan ishin edhe anëtarë të Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Në vitet e kaluara, pjesëmarrësit kanë pasur ankesa për “përdorim të tepërt të forcës” nga policia.

Një vizitorit nuk është lejuar të hynte për shkak të një bluze me mbishkrimin “Delije sever” [Tifozët Delije nga veriu], ashtu sikurse disa tjerëve që mbanin flamuj serbë.

Delije është emri kolektiv i tifozëve të ekipit serb të futbollit, Cërverna Zvezda (Ylli i Kuq).

Më herët gjatë ditës, autoritetet kanë ndaluar një anëtar të partisë “Demokracia Serbe”, Stefan Vellkoviqin, pasi ai refuzoi të hiqte një bluzë me imazhin e liderit të partisë, Aleksandar Arsenijeviq.

Arsenijeviq, në pronën e të cilit u gjetën armë, nuk është në Kosovë, dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ai do të arrestohej kur të hynte në Kosovë.

Arsenijeviq mohoi se armët e gjetura ishin të tijat, duke pretenduar se ato i ishin “vendosur” atij.

Në organizim kanë marrë pjesë edhe disa anëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – përfshirë Sllavko Simiqin.

Në të kaluarën, pjesëtarë të kësaj partie nuk patën marrë pjesë në festimet për Vidovdanin në Gazimestan, por vetëm në liturgjinë në Manastirin e Graçanicës.

Në fillim të qershorit të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi vendimin e vitit të kaluar të komunës së Graçanicës për lejimin e shfaqjes së flamurit serb me rastin e Vidovdanit. Gjykata deklaroi se kjo komunë me shumicë serbe kishte tejkaluar autoritetin e saj dhe kishte vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare.

Megjithatë, të shtunën ekipi i Radios Evropa e Lirë i ka parë flamujt serbë në gjithë Graçanicën, edhe përpara ndërtesës së komunës, të përdorur për të shënuar Vidovdanin.

Ministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, deklaroi se përdorimi i simboleve nga ana e komunitetit serb “nuk përbën kërcënim për identitetin e askujt, por përkundrazi një afirmim të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – reagoi ndaj këtij vendimi, duke vlerësuar se e njëjta gjë duhet bërë kur flamuri shqiptar të shfaqet në Kosovë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në prag të Vidovdanit se, sipas vlerësimeve të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, Serbia synon të provokojë incidente dhe se me këtë rast grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë organizuar për të ardhur në Kosovë.

“Grupe të tilla tradicionalisht kanë qenë provokuese, duke mbajtur simbole nacionaliste serbe dhe ruse që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vlerësoi se akuzat e Kurtit kundër Serbisë janë “të çmendura dhe të pabaza”, dhe deklaroi se kryeministri i Kosovës në fakt dëshiron të “krijojë një alibi për planet e tij represive që dëshiron të zbatojë”.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989. Ky fjalim shpesh citohet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. /REL/

The post Përfundon manifestimi i Vidovdanit appeared first on Kosovapost.net.