Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me një situatë të rëndë për shkak të mungesës së tretësirës fiziologjike NaCl (tretësirë injektuese), e cila është e domosdoshme në operacione. Raportime të fundit tregojnë se në Spitalin e Mitrovicës është anuluar programi operativ për shkak të mungesës së këtij produkti. Demokracia.com ka zbuluar se kontrata në fuqi ka skaduar dhe se SHKUK po përpiqet të nënshkruajë një të re.
Vetëm dje, disa operacione në spitale të ndryshme të Kosovës u anuluan për shkak të mungesës së tretësirës fiziologjike. Kontrata që SHKUK kishte me kompaninë Exclusive Corporation ka përfunduar. Ajo ishte një kontratë njëvjeçare, e vlefshme deri më 28 mars 2025, por sasia e kontraktuar ka disa ditë që është shteruar. Produkti mungon edhe në barnatore, ndërsa institucionet po mundohen të sigurojnë një kontratë të re.
Pavarësisht se SHKUK ka shpallur një fitues të tenderit të ri, ekziston rreziku që nënshkrimi i kontratës të vonohet. Fitues i tenderit për furnizimin me Natrium chloride – tretësirë injektuese 0.9% (500 mL izotonik) është shpallur kompania Dreni Pharm, me një sasi prej 1,391,020 copë.
Procesi i tenderimit:
- Tenderi është hapur më 21 janar 2025
- Hapja e ofertave është bërë më 3 mars
- Ministria ka nxjerrë njoftimin për vlerësimin e ofertave më 17 mars
Për të finalizuar kontratën, janë të nevojshme edhe dy ditë. Megjithatë, nëse ndonjë kompani konkurruese paraqet ankesë, procesi mund të zgjatet edhe më shumë, duke përkeqësuar krizën e furnizimit.
Në tender kanë konkurruar:
- Dreni Pharm me ofertën më të ulët: 820,701.80 euro
- Exclusive Corporation me 1,043,265.00 euro
- Promed shpk me 1,084,995.60 euro
Deri më tani, furnizimi me këtë produkt është bërë nga Exclusive Corporation, ndërsa Demokracia.com ka raportuar më herët se ky ilaç është blerë nga Serbia.
“Made in Serbia” në QKUK, klinikat furnizohen me tretësirë për infuzion NaCl
Mungesa e tretësirës fiziologjike ka prekur edhe barnatoret private, ku përveç NaCl, raportohen mungesa të glukozës dhe produkteve të tjera. Kjo situatë lidhet me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për nivelizimin e çmimeve të barnave, vendim që ka bërë që furnitorët të mos arrijnë të mbulojnë kostot e tyre.
Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se problemi kryesor qëndron te çmimi i ulët i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili, sipas tyre, nuk mbulon shpenzimet reale të furnizimit dhe importit.
“Çmimi i miratuar nga Ministria është shumë më i ulët sesa çmimi furnizues, duke bërë që disa produkte të mos importohen më. Për më tepër, barnatoret po përballen me vështirësi për shkak të stoqeve të krijuara me çmime të vjetra, të cilat nuk përputhen me listën e re të çmimeve të miratuara”, ka deklaruar Shoqata.
Për ta zbutur këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një vendim që u mundëson distributorëve të aplikojnë për rishikim të çmimeve, duke shpresuar në normalizimin e tregut farmaceutik. /Demokracia.com/