Përfshirja në delegacionin e Kosovës, Williams: Bukoshi më ftoj në emër të Rugovës për Rambuje

Juristi Paul Williams ka treguar në detaje se si ishte bërë pjesë e delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje.

Gjatë dëshmisë së tij e cila ka nisur para pak minutash, juristi para trupit gjykues përmendi Bujar Bukoshin, Ibrahim Rugovën, dhe Edita Tahirin.

Ai tregoi se ishte Bukoshi ai i cili e ftoi në emër të Rugovës që të shkonte në Rambuje dhe të merrte pjesë në bisedime.

“Gjatë verës dhe vjeshtës së 98-ës, po punoja me Bujar Bukoshin dhe përmes tij me Rugovën, deri diku edhe me Veton Surroin duke u koordinuar ngushtë me diasporën shqiptare në Amerikë që kishin marrëdhënie me këta persona, dhe ata kërkuan ndihmën time, udhëzime lidhur me aspekte që do të negocioheshin”.

“Më ftoi Bujar Bukoshi, në emër të Rugovës, të shkoja në Rambuje dhe të merrja pjesë në bisedimet në shkurt, konkretisht më 7 shkurt, është marrë një vendim zyrtar me konsensus nga delegacioni kosovar në Rambuje përmes të cilit më ftuan të isha këshilltar i tyre juridik. Edita Tahiri e ka nënshkruar dhe Bajram Kosumi, deklaratën zyrtare”.

William u pyet se kush në fakt ishte Edita Tahiri gjatë asaj kohe, dhe ai u përgjigj: “Edita Tahiri ka qenë ministre e Jashtme e Rugovës. Pra, Rugova kishte një qeveri paralele të shqiptarëve të Kosovës, Bujar Bukoshi ishte kryeministër dhe ministre e Jashtme ishte Edita Tahiri”.

Më tej, juristi tregoi se me Bukoshin kishte një marrëdhënie të ngushtë, pasi siç deklaroi ai, i njëjti shkonte shpesh në ShBA.

“Ai vinte shpesh në Amerikë, ku takonte anëtarë të kongresit, mbante intervista në media dhe kur ishte në Uashington, ai u takua edhe me mua dhe rrija me të gjatë gjithë kohës, si avokat i tij. Ai kishte edhe këshilltarë të tjerë, por unë isha personi me të cilin kontaktonte për aspekte juridike. Fliste mirë anglisht, ishte i drejtpërdrejt, kisha marrëdhënie të ngushtë me të”, deklaroi Williams.