Përfshirja e kryeqytetit në projektbuxhet, Rama: Ofron stabilitet financiar dhe bazë për projekte

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pasi deputet me vota unanime në Komisionin për Buxhet dhe Financa kanë miratuar përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në projekt-buxhetin e vitit 2026.

Rama ka thënë se është hap i rëndësishëm për Prishtinën.

“Vendimi i marrë me 10 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim, siguron stabilitet financiar dhe krijon bazë të qëndrueshme për realizimin e projekteve zhvillimore që i kemi planifikuar për vitin e ardhshëm. Kjo na mundëson të vazhdojmë investimet në infrastrukturë, shërbime publike dhe projekte strategjike që përmirësojnë cilësinë e jetës në Kryeqytet”, ka thënë Rama.

“Procesi është përmbyllur nga Komuna e Prishtinës me përkushtim dhe profesionalizëm, duke përgatitur të gjitha dokumentet dhe tabelat e nevojshme në përputhje me kërkesat ligjore”, ka thënë ai.

“Prishtina do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi, transparencë dhe vizion të qartë zhvillimor, duke u siguruar që çdo mjet buxhetor të kthehet në investim konkret për qytetarët tanë”, ka thënë Rama.