Një veturë është përfshirë nga flakët të martën në mbrëmje në qytetin e Pejës, ndërsa autoritetet thonë se automjeti dyshohet të jetë në pronësi të një zyrtari policor.
Policia ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 20:00, në rrugën “Papa Klementi”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, konfirmoi për mediat se njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informatës.
“Sonte rreth orës 20:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Papa Klementi’ në Pejë një veturë është kapluar nga zjarri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale,” ka deklaruar Gashi.
Ai shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori i shtetit dhe eksperti i zjarrit, të cilët po hetojnë rrethanat dhe shkaqet e incidentit.










