Përfitoi 5,4 milionë euro nga privatizimi, zbardhen pasuritë që iu sekuestruan Malltezit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e pasurive të paluajtshme, llogarive bankare dhe aksioneve që dispononte Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

“Mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 410 datë 20.10.2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave)”, thuhet në njoftimin e sotëm të Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK).

Sipas Prokurorisë së Posaçme, të gjitha përfitimet monetare që ka marrë Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit, nga shoqëria Homeplan shpk, pa investuar tek kjo e fundit, e që i ka marrë para se të deklarohej si bashkëortak dhe më tej, pas vitit 2018, arrijnë në shumën 673 milionë lekë, ose 5.4 milionë euro.

Ndërkohë, ish-kryeministrit Sali Berisha, rezulton se ka pasur rol aktiv në nxitjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani në kundërshtim me ligjin, dhe në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

SPAK bëri me dije përmes një njoftimi se nga hetimet, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, Sali Berisha ka konsumuar veprat penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.

Krahas kësaj, SPAk e akuzon Sali Berishën se ka përdorur administratën në varësi të tij si kryeministër për të realizuar përfitimin e dhëndrit Jamarbër Malltezi.

“Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër, ka kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të, bashkëshortit të vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore”, – njofton SPAK.

SPAK detajon edhe përfitimin e parregullt, i cili ka ndodhur në tri faza, që nga privatizim, investim, përfitim.

Biznesmeni Fatmir Bektashi, i shoqëruar në të njëjtën ditë me Jamarbër Malltezin, për ti njoftuar masën detyrim paraqitje akuzohet se ka konsumuar veprën “Korrupsionit aktiv”, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Euronews Albania ka siguruar dosjen e plotë, e cika është rreth 200 faqe, e dalë nga një hetim që ka zgjatur 3 vite./euronewsalbania/

Related Posts