Përfaqësuesja e Izraelit, Eden Golan: Mendova se nuk do t’i mbijetoja performancës në Eurovision

Eden Golan, përfaqësuesja izraelite në Eurovisionin e vitit të kaluar, ka rrëfyer në një intervistë për revistën izraelite Walla! për frikën, kërcënimet dhe përballjet e vështira që përjetoi para, gjatë dhe pas performancës në Malmö të Suedisë.

“Para Eurovisionit nuk flija fare. Shihja ëndrra të tmerrshme – sikur më rrëmbenin, më qëllonin… Nuk dua as të imagjinoj çfarë po kalojnë pengjet”, u shpreh Eden, duke iu referuar luftës së vazhdueshme mes Izraelit dhe Palestinës që nisi më 2023. “Kur shkova në Eurovision, isha e përgatitur për gjithçka, por jo për atë nivel urrejtjeje. Megjithatë, i thashë vetes se do ta ktheja këtë në forcë. Dhe e bëra”.

Ajo tregoi se momenti më tronditës ishte kur për herë të parë u përball me publikun. “Mendova se nuk do të dëgjoja asgjë nga kufjet. Por kur filluan fishkëllimat, dëgjova gjithçka. Përfaqësueset e delegacioneve qanin, menaxherja për media qante… Ishte një tronditje për të gjithë”.

Por, siç tregon Eden, vendosi ta përballonte ndryshe: “I thashë vetes – le të fishkëllojnë edhe më fort. E ktheva atë në zjarr, në energji. Kur dola për herë të dytë në skenë, i thashë vetes – tani do t’ua tregoj”.

Gjatë konkursit, disa këngëtarë i qëndruan pranë – si Slimane (Franca), Isaak (Gjermania) dhe Tali Golergant (Luksemburgu) – por shumica, sipas saj, u distancuan. “Pasi një video që xhirova me këngëtarin finlandez Käärijä u bë virale, menaxheri i tij hyri në dhomën time pa trokitur dhe më kërkoi ta hiqja videon. Njerëzit kishin frikë të mos lidhen me mua”.

Eden nuk kurseu as kritikat për disa shtete pjesëmarrëse, duke thënë: “Irlandezët, grekët apo holandezët… Karma është… oh, a më lejohet ta them? Gjithsesi, gjithçka kthehet. Unë besoj vërtet në karmë dhe energji”.

Veçanërisht u përmend përfaqësuesi i Holandës, Joost Klein, i cili gjatë një konference për shtyp reagoi kur Eden u pyet nëse prania e saj rrezikonte sigurinë e të tjerëve. Moderatori i ofroi mundësinë të mos përgjigjej, por Joost reagoi me: “Pse jo?” ndërsa mbuloi fytyrën me flamurin holandez – një veprim që u interpretua gjerësisht si provokim politik dhe mungesë respekti. Ai u përjashtua më pas nga gara për një incident tjetër me një anëtare të stafit të produksionit – një rast i paprecedentë në historinë e Eurovisionit.

Në një moment Eden pranon: “Mendova se ndoshta nuk do ta mbijetoj performancën. Kishte kaq shumë kërcënime. Prindërit më pyesnin – a ia vlen ta rrezikosh jetën? Imagjinoja veten duke kënduar dhe dikush më qëllonte”.

Në natën e finales, delegacioni izraelit u vendos në një dhomë të izoluar, larg pjesëmarrësve të tjerë. “Faleminderit për këtë. Gjeta qetësi të madhe. Ishte një nga gjërat më të mira që ndodhën”, tregoi ajo.

Për përfaqësuesen e këtij viti nga Izraeli, Yuval Raphael, Eden tha: “I kam dhënë të gjitha këshillat që kam mundur. Mendoj se është e përgatitur dhe i uroj vetëm të shijojë çdo moment – kjo është më e rëndësishmja”.

Në fund, ajo foli edhe për zhgënjimet në industrinë muzikore: “Një kompani e madhe ndërkombëtare diskografike, me të cilën ishim në bisedime, u tërhoq. Më thanë se askush nuk dëshiron të punojë me mua për këtë projekt. Ishte e trishtë, por nuk më ndali. Do të vazhdoj përpara”.

Megjithatë, ajo përfundon me një mesazh të fuqishëm: “Vendi i pestë në Eurovision – dhe kjo vetëm falë votave të publikut – ishte dëshmia që gjithçka që përjetova kishte kuptim. Nuk e di nëse do të rikthehem ndonjëherë në Eurovision, por nëse po – më mirë të fitoj!”.