Percassi për Lookman: Dëshiron të largohet, por vendosim ne se si dhe kur…

Luca Percassi, administrator i deleguar i Atalantës, del hapur për çështjen Ademola Lookman: “Ademola ka shprehur prej kohësh dëshirën për t’u larguar, nuk është ndonjë sekret. Në të gjitha planet tona ai ishte lojtari që do të largohej, sepse një shitje në vit është pjesë e filozofisë sonë. Sidoqoftë, merkatoja sjell gjithmonë surpriza dhe e dini mirë çfarë ndodhi me Retegui.

Edhe për Ademola, pavarësisht shumë interesimeve, nuk kishte pasur asgjë konkrete. Të paktën deri të martën, kur erdhi oferta e Interit, një klub me të cilin kemi marrëdhënie të shkëlqyera. E takova Marotta në mbledhjen e Lega, jemi miq dhe këto ditë do ta vlerësojmë me qetësi ofertën. Gjithsesi, kohët dhe kushtet e largimit nga Atalanta i vendosim vetëm ne”.

Traktativa është në një pikë të mundshme kthese. Interi ka ofruar 42 milionë euro, me 3 milionë të tjera në formë bonusesh, që mund ta çojnë shifrën totale në 45 milionë. Propozim i rëndësishëm, edhe pse nuk arrin 50 milionët që Atalanta ka kërkuar deri tani për ta lënë të lirë yllin e saj. Me lojtarin ka një marrëveshje parimore për ta lehtësuar largimin, por vetëm me kushtet që klubi bergamask përcakton.

Ndërkohë, Interi dhe Lookman kanë gjetur akord të përgjithshëm për një kontratë 4-vjeçare me pagë prej 4 deri 4.5 milionë euro në sezon, më shumë se dyfishi i 1.8 milionëve që përfiton aktualisht tek Atalanta.

The post Percassi për Lookman: Dëshiron të largohet, por vendosim ne se si dhe kur… appeared first on Telesport.