Mësimi në të gjitha institucionet arsimore të Prishtinës është anuluar për ditën e sotme për shkak të motit të keq dhe kushteve të vështira atmosferike. Drejtoria e Arsimit njoftoi se reshjet e mëdha të shiut, vështirësitë në komunikacion dhe rrezikshmëria e shtuar për nxënësit kanë çuar në marrjen e këtij vendimi.
Vendimi është marrë në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, si dhe me drejtorët e shkollave, ndërsa është aprovuar edhe nga Kryetari i Kryeqytetit.
“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet. Ky vendim është marrë edhe në koordinim me Kryetarin e Kryeqytetit, dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë”, thuhet në njoftimin e drejtorisë.










