‘Për jetesë nevojitet banesë’: Kurti hedh një lopatë zall për projektin që e premtonte brenda mandatit të parë

“Banimi është e drejtë themelore e njeriut, për jetesë nevojitet banesë” – deklaroi mes tjerash kryeministri në largim, Albin Kurti të mërkurën, kur vendosi gurthemelin për banesat e projektit të banimit të përballueshëm në Istog. Kjo, sipas premtimit të tij të para më shumë se katër viteve, parashihej të përfundonte brenda mandatit të parë.

Projekti për banim të përballueshëm, apo siç njihet tashmë, banesat për çifte të reja, nisën të ndërtohen sot në vetëm një komunë, anise ato tashmë do të duhej të ishin të përfunduara.

Në lidhje me këtë, në një komunikatë të Zyrës së Kurtit të lëshuar sot, thuhet:

“Ndërkaq, kryetari Ferati u shpreh se është shumë i gëzuar që Komuna e Istogut është e para që po fillon me këtë projekt, që përpos se për qeverinë, sigurisht që edhe për komunën që drejton ai ka qenë me interes jetik, marrë parasysh që ka numër të konsiderueshëm të rasteve që kërkojnë nga komuna që të ofrojnë zgjidhje sa i përket banimit”.

Theksojmë se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti kishte hapur tenderin për ndërtimin e këtyre objekteve vetëm në fund të vitit 2024, rreth dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, kishte thënë se “për këtë është punuar nga fillimi i mandatit”, anise banesat as nuk ishin nisur në asnjë prej komunave ku premtohej se do të ndodhë kjo.

“Po e nisim me komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, ndërkaq shumë shpejt do të procedojmë edhe me nëntë komuna tjera që janë në procedurë.

Do të sigurojmë banim për të gjithë. Banim të dinjitetshëm, jo vetëm strehim.” – shkruante ai mes tjerash.

Para më shumë se katër viteve, Kurti premtonte se ky projekt do të përfundonte brenda mandatit të parë.

Ai deklaronte se “gjatë mandatit të parë, do t’ua mundësojë banimin e përballueshëm 4 mijë familjeve”.

“Gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit”.