Një grup senatorësh amerikanë paraqiti të enjten rezolutën e parë në Senat, e cila bën thirrje për njohjen e shtetit palestinez, duke sinjalizuar më tej një ndryshim të qëndrimit të Uashingtonit ndaj Izraelit, pothuajse dy vjet pas fillimit të luftës me Hamasin në Rripin e Gazës.
Rezoluta e propozuar nga demokratët ka gjasa të mos kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët besnikë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump kanë shumicën me 53 vota kundrejt 47.
Trump deklaroi të enjten se nuk është dakord me kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer në lidhje me njohjen e shtetit palestinez dhe se asnjë republikan nuk është bashkuar me përpjekjet për ta bërë këtë, raporton reuters.
Demokrati Jeff Merkley nga Oregoni, i cili kryeson këtë nismë, deklaroi se “Amerika ka përgjegjësi të udhëheqë dhe koha për veprim ka ardhur”.
Rezoluta i bën thirrje SHBA-së të njohë një shtet palestinez të çarmatosur përkrah një Izraeli të sigurt, duke ofruar shpresë për të dyja palët dhe duke rritur mundësinë për paqe, tha Merkley.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, Ro Khanna nga Kalifornia po shpërndan një letër me shpresën për të mbledhur mbështetje për njohjen e shtetit palestinez.
Këto veprime pasqyrojnë një ndryshim qëndrimi mes ligjvënësve për të ushtruar presion ndaj Izraelit që të përfundojë luftën dhe të zbusë krizën humanitare në Gaza, ndërsa konflikti po i afrohet përvjetorit të dytë.
Të tjerë bashkë-nënshkrues të rezolutës në Senat janë demokratët Chris Van Hollen nga Marylandi, Tim Kaine nga Virginia, Peter Welch nga Vermonti, Tina Smith nga Minnesota, Tammy Baldwin nga Wisconsin dhe Mazie Hirono nga Hawaii, si dhe Bernie Sanders nga Vermonti, i pavarur.
Sanders të mërkurën u bë senatori i parë amerikan që e përshkroi si gjenocid situatën në Gaza.
Një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara doli në përfundimin këtë javë se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza. Izraeli e ka kundërshtuar këtë konstatim, duke e quajtur të njëanshëm dhe të bazuar në prova të paverifikuara.
Disa aleatë të SHBA-ve po përgatiten të njohin shtetin palestinez, ndërsa udhëheqësit botërorë pritet të mblidhen javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.
Një sondazh i Reuters/Ipsos muajin e kaluar tregoi se shumica e amerikanëve – 58 për qind – besojnë se çdo vend në Kombet e Bashkuara duhet ta njohë si shtet Palestinën.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, numri i viktimave palestineze nga lufta ka kaluar 65 mijë deri të mërkurën. Sipas të dhënave izraelite, në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, që shkaktoi luftën, u vranë rreth 1200 persona dhe 251 u morën peng.