Për dyert e njëjta, Ministria e Pecit herë pagoi 550 e herë 850 euro

Çmime të ndryshme për punë të njëjta përmban kontrata e Ministrisë së Bujqësisë për rinovimin e objektit të këtij dikasteri, ku për vite ka pasur selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Për furnizim, transport dhe montim të llojit të njëjtë të derës, dallimi është 300 euro. Në një raport të Auditorit të Brendshëm të kësaj ministrie, të cilin e ka siguruar KOHA, tregohet se për disa dyer të të njëjtit lloj, çmimi ka qenë 550 euro, e për të tjera 850 euro.

“Dallimi në çmim ishte 300 euro nëpër pozicionet e njëjta të përshkrimit të punëve (çmimi ishte 850 dhe 550. Kjo te: Hapësira nr.3. nr.5, nr.6, nr.23 pozicioni nr.11, pastaj hapësira nr.7, nr.8, nr.9, nr. 11, nr.12, nr.13, nr.14, nr.15, nr.19, nr.20, nr.21, nr.22, pozicioni nr.9 dhe hapësira nr.24 pozicioni nr.10). Dallimi në çmim ishte 200 euro (çmimi ishte 650 euro dhe 450 euro) nëpër pozicione në specifikat e njëjta të përshkrimit të punëve (çmimi ishte 650 euro dhe 450 euro. Kjo te Bodrumi-Arkiva: Hapësira nr.4, pozicioni nr.4 dhe hapësira nr.5, pozicioni nr.4.”, konstatoi Auditori i Brendshëm i MBPZHR-së.

Për këtë aktivitet prokurimi, janë bastisur zyrat e Ministrisë së Bujqësisë një ditë pasi KOHA raportoi se për 33 hapësira të objektit që kanë madhësi të ndryshme, Ministria ka paguar nga 2 mijë euro për largimin e inventarit. Ka ndodhur kjo, ndonëse në një video të siguruar, shihet se bodrumi i përbërë nga nëntë hapësira, është pastruar nga AAK-ja para se të largohej nga ndërtesa.

E, Auditori i Brendshëm ka gjetur se kontrollet jo të duhura kanë sjellë mangësi në procesin e ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të ofertave në këtë aktivitet prokurimi. Sipas raportit, Komisioni i Vlerësimit i Ministrisë nuk kishte kërkuar informata sqaruese dhe sqarimin e tenderit.

Ministria i ka cilësuar devijime të vogla dallimet në çmime. Në një përgjigje dhënë KOHËS, thuhet se devijimet nuk kanë ndikuar në aspektin material të njoftimit për kontratë, përkatësisht dosje të tenderit.

“Neni 59.4 i LPP-së (Ligjit të Prokurimit Publik) gjithashtu lejon autoritetin kontraktues që të pranojë ofertat, në raste të gabimeve ose paqartësive dhe në raste të devijimeve të vogla. Në të dyja rastet është një kusht që aspektet materiale të njoftimit për kontratë/dosjen e tenderit nuk janë prekur. Edhe nëse oferta do të ishte me e madhe për  1,100.00 euro, vlera do të mbetej brenda kufirit të parashikuar në dosjen e tenderit dhe njoftimit për kontratë”.

Në përgjigjet e Ministrisë thuhet se gjatë implementimit të kontratës, këto dallime janë evidentuar nga menaxheri i kontratës dhe janë zbatuar në përputhje me ofertën e tenderit.

E në raportin e Auditorit është rekomanduar që vlerësimi i ofertave të bëhet në përputhje me kërkesat ligjore.

“Ministria të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme dhe komisionet e vlerësimit të ofertave duhet vepruar në vlerësimin e ofertave në pajtueshmëri me kërkesat e vendosura në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore, si dhe të sigurojë përmes zyrtarit përgjegjës të prokurimit që komisionet e vlerësimit i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë në procesin e ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të ofertave”, tha Auditori i Brendshëm.

Tenderi në vlerë 359 mijë euro, për rinovimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë i ishte dhënë konsorciumit që përbëhet nga kompanitë “Limit Project” dhe “Lurn”. Krahas kontratës fillestare është firmosur edhe një aneks-kontratë në vlerë prej afro 9 mijë eurosh.