Hetimet lidhen me pretendime se Grubi ka ushtruar ndikim në vendimmarrje administrative dhe procese emërimesh, duke tejkaluar kompetencat e tij si funksionar i lartë shtetëror. Rasti konsiderohet pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin në nivelet e larta të qeverisjes.
Prokuroria ka bërë të ditur se janë duke u analizuar dokumente, komunikime zyrtare dhe dëshmi të tjera që mund të hedhin dritë mbi rolin e tij në këtë çështje.
Grubi i kishte hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe ka deklaruar publikisht se do të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.
“Futja e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mundet dhe nuk do të tolerohet. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të identifikojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm që minon institucionet demokratike dhe dëmton besimin e publikut.
Grubi dhe Bexheti janë përfshirë në korrupsion të madh duke minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret. Askush nuk është mbi ligjin, dhe llogaridhënia është thelbësore për përparim,” kishte thene ambasadorja Ageller.










