Për arsye logjistike, anulohen edhe ketë javë seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Seancat e parapara për këtë javë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë anuluar.

Siç kanë njoftuar Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kjo ka ndodhur për arsye logjistike.

Ndërsa, seanca e radhës pritet të mbahet të hënën e 10 nëntorit 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëgjimi i dëshmitarit që ishte planifikuar për sot, ishte shtyrë vazhdimisht.

Sipas një parashtrese të mbrojtjes së Thaçit, ky dëshmitar ishte planifikuar të dëshmonte më 15 shtator në vend të James Rubin. Sipas tyre, dëshmia e tij është dashur të shtyhet vazhdimisht për shkak të çështjeve që janë jashtë kontrollit të mbrojtjes.

Mbrojtja ka thënë se nëse dëshmitari që është planifikuar të dëshmojë më 3 nëntor 2025 nuk dëshmon, atëherë nuk ka asnjë dëshmitar të disponueshëm për këtë javë.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.