Pengoi arrestimin e Kurtit, Sami Kurteshi para gjykatës thotë se nuk e di për çka akuzohet

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Sami Kurteshit, Driton Çaushit dhe Valon Hotit, të akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për pengim të arrestimit të Albin Kurtit dhe të tjerëve gjatë vitit 2017.

Seanca dështoi pasi që të akuzuarit deklaruan se nuk janë të pajisur me shkresa të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Për çka gjykatësja e rastit, Valbonë Fejza e obligoi prokurorin Blerim Igrishta që në afat prej tre ditësh t’i pajisë të akuzuarit me shkresa të lëndës.

Paraprakisht, i akuzuari Kurteshi tha se nuk e di se për çfarë rasti është paraqitur në Gjykatë.

“Unë hiç nuk e di për çka është fjala, as nuk po e di në këtë përbërje çka ka mujt me ngja… me u pajis (me shkresa të lëndës) dhe me ditë bre për çka (për çfarë rasti akuzohet), sinqerisht”, tha Kurteshi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 24 shtator 2018 ndaj Driton Çaushit, Sami Kurteshit dhe Valon Hotit.

Sipas aktakuzës, Çaushi dhe Kurteshi ngarkohen se më 24  nëntor 2017, rreth orës 8:30 në afërsi të Kuvendit të Republikës se Kosovës derisa Policia ka qenë duke i zbatar detyrat e punës, zbatimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për arrestimin e Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut, Kurteshi dhe Çaushi në bashkëkryerje i kanë penguar personat zyrtarë në realizimin e detyrave zyrtare.

Aty thuhet se të njëjtit me anë të përdorimit të forcës, kanë penguar zyrtarët policorë për realizimin e detyrave të tyre.

Sipas aktakuzës, Kurteshi dhe Çaushi kanë penguar zyrtarin policor Besnik Morina duke e tërhequr për trupi dhe pastaj duke e grushtuar në pjesë të ndryshme të trupit, e që Morina pësoi lëndime të lehta trupore të shkaktuara nga veprimi i të akuzuarve.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se Çaushi kishte goditur në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin tjetër- Safet Lahu, i cili kishte humbur vetëdijen në një moment dhe kishte pësuar lëndime të lehta trupore.

Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 dhe 31 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Valon Hoti akuzohet se derisa Policia ka qenë duke i transportuar me veturë zyrtare të arrestuarit- Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu, ka bërë përpjekje të ndalojë transportimin e atëkohë deputetëve, duke goditur automjetin zyrtar të policisë me mjet të fortë. Kështu, Policisë i ka shkaktuar dëm material.

Andaj për këto veprime Hoti ngarkohet me veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 333, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.