Peja blen kamion të vjetër për mbeturina: Investim apo ndotje shtesë?

Në një vendim të fundit, ndërmarrja komunale ‘Ambienti’ e Komunës së Pejës po meton të blejë një kamion të përdorur për mbeturina me një vlerë prej 15,800.00 eurosh, shkruan Demokracia.com.

Në një kohë kur vendet evropiane po investojnë në teknologji të gjelbërta dhe alternativa më miqësore me mjedisin, Komuna e Pejës që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri, ka zgjedhur një qasje krejtësisht të kundërt.

Ndërmarrja komunale “Ambienti” ka blerë një kamion të përdorur për mbeturina me vlerë 15,800 euro, duke e pajisur qytetin me një mjet të vjetër, që jo vetëm që konsumon më shumë karburant dhe ndot ajrin, por edhe kërkon riparime të shpeshta.

Kontrata për këtë blerje është dhënë kompanisë Meriton Likaj B.I., ndërsa mbetet e paqartë se çfarë standardesh teknike janë marrë parasysh për të garantuar që ky investim nuk do të shndërrohet në një barrë të re për komunën.

Kjo zgjedhje ngre pikëpyetje mbi politikat mjedisore të komunës, e cila në vend se të promovojë një menaxhim modern dhe të qëndrueshëm të mbeturinave, po vazhdon të investojë në mjete të vjetruara që e përkeqësojnë cilësinë e ajrit dhe sjellin kosto të reja mirëmbajtjeje. /Demokracia.com/