Pedagogët ultimatum qeverisë: Grevë nëse s’plotësohen kërkesat
Në mbledhjen e zhvilluar në ditën e sotme në godinën “Iliria” mes Senateve Akademike, pedagogët e Universitetit të Tiranës i kanë lënë një javë afat qeverisë që të anulojë ligjin e Arsimit të Lartë si dhe rishikimin e VKM-ve.
Ata u shprehën në unison se nëse qeveria nuk do të reagojë pozitivisht ndaj kërkesave të tyre, pedagogët do të pezullojnë procesin mësimor si dhe do të përshkallëzojnë protesta deri në grevë.
Kërkesat e tyre:
1. Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
2. Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
3. Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
4. Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
5. Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
“Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme. Ftojmë të gjitha universitetet e tjera publike të shprehen dhe të koordinojnë qëndrimet për sa më sipër.” thuhet në deklaratë.